- Kontributi i Bankës së BE-së është pjesë e paketës mbështetëse të BE-së për Ballkanin Perëndimor me vlerë 3,3 miliardë euro
- Për të siguruar një mbështetje afatgjatë, BEI-ja po përgatit një listë projektesh me vlerë 2,3 miliardë euro
- Mbështetje e menjëhershme në dispozicion të sistemeve rajonale të kujdesit shëndetësor dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme
Grupi i Bankës Evropiane të Investimeve do të mbështesë rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të Ballkanit Perëndimor nga pandemia Covid-19 me 1,7 miliardë euro. Kjo është pjesë e paketës së ndihmës financiare prej 3,3 miliardë euro për rajonin, e njoftuar më 29 prill nga Komisioni Evropian, e cila pason përpjekjet e Ekipit të Evropës për të mbështetur Ballkanin Perëndimor.
Sektorët kombëtar të kujdesit shëndetësor dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në rajon do të jenë përfituesit e menjëhershëm të paketës mbështetëse të BE-së, e cila është projektuar gjithashtu për të forcuar sektorët bankarë në vend dhe për të siguruar asistencë teknike në realizimin e projekteve të zhvillimit dhe stimulimin e investimeve tepër të nevojshme.
Për të lehtësuar ndikimet shëndetësore, sociale dhe ekonomike të pandemisë, BEI-ja do të sigurojë financime të reja, si dhe do të përshpejtojë nënshkrimet dhe lëvrimet e kredive të miratuara për klientët e sektorit privat dhe publik në Ballkanin Perëndimor, me rreth 600 milion euro të caktuara për sektorin privat.
Werner Hoyer, Presidenti i BEI-së tha: "Përkundër sfidave të mëdha të krijuara nga kriza e COVID 19 brenda vetë BE-së, Unioni ka treguar mbështetjen e tij të palëkundur për vendet e saj partnere dhe angazhimin e tij për bashkëpunim dhe koordinim ndërkombëtar. Nevojat e mëdha në rajon mund të adresohen vetëm nga një përpjekje në ekip dhe BEI-ja mezi pret të kontribuojë në Kornizën e Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe Planin e ardhshëm Ekonomik dhe të Investimeve për Rimëkëmbjen.”
Olivér Várhelyi, Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerimin i BE-së tha: "Në reagimin tonë ndaj pandemisë COVID-19, ne i kemi trajtuar vendet e Ballkanit Perëndimor si partnerë të privilegjuar dhe shtete anëtare të ardhshme. Ne jemi angazhuar së bashku me BEI-së për të ofruar një paketë të rëndësishme financiare për të mbështetur nevojat e menjëhershme dhe rimëkëmbjen ekonomike, dhe tani jemi përqendruar shumë në përdorimin e përshpejtuar të këtyre fondeve në të gjithë rajonin. Sigurimi në kohë të shpejtë është thelbësor, për të cilën jemi të angazhuar. Puna jonë do të vijojë me përgatitjen e një plani gjithëpërfshirës ekonomik dhe investimesh që do të ndihmojë Ballkanin Perëndimor me një rimëkëmbje afatgjatë, do të sigurojë një shtysë për ekonomitë dhe do të mbështesë reformat, kur të jetë e nevojshme dhe sipas nevojës.”
Seti i masave emergjente të BEI-së për Ballkanin Perëndimor përfshin:
- miratimin e financimit të ri të dedikuar me kushte më fleksibël dhe pranueshmëri të zgjeruar, në mbështetje të sektorit të kujdesit shëndetësor dhe NVM-ve e Midcaps të prekur nga pandemia,
- përshpejtimin e lëvrimeve dhe nënshkrimin e transaksioneve ekzistuese,
- ri-planifikimin e lehtësirave ekzistuese për të mbështetur sektorin e kujdesit shëndetësor dhe atë privat,
- rritjen e financimit në dispozicion të BEI-së në kuadër të "Covid TopUp",
- zgjerimin e pranueshmërisë për projekte të kujdesit shëndetësor dhe mbrojtjes civile, të promovuara nga sektori publik në përputhje me strategjitë e tyre kombëtare, të hartuara për pandeminë dhe përgatitjen për urgjencë.
Niveli i mbështetjes së kërkuar nga rajoni është i madh dhe kërkon bashkëpunimin e të gjithë aktorëve, vendeve të rajonit, institucioneve të BE-së, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe evropiane dhe shteteve anëtare të BE-së. Grupi i BEI-së është i angazhuar të vijojë bashkëpunimin tonë të mirë me të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor, përfshirë platforma të tilla si Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Angazhimi afatgjatë ndaj Ballkanit Perëndimor
Përveç kësaj pakete të menjëhershme mbështetjeje, BEI-ja vijon me me përgatitjen e një liste me projekte, të vlerësuara aktualisht në vlerën 2,3 miliardë euro, për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të rajonit bazuar në aftësinë e tij për të ofruar një financim të përballueshëm, afatgjatë dhe asistencë teknike në Ballkanin Perëndimor. Nga viti 2008 deri në vitin 2019, Grupi i BEI-së ka investuar mbi 8 miliardë euro në ekonomitë rajonale në të gjithë sektorët, e cila e bën Grupin huadhënësin më të madh ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor.
Në përputhje me politikën e BE-së dhe prioritetet kombëtare, BEI-ja do të mbështesë projekte që mundësojnë tranzicionin e rajonit në gjenerimin e energjisë së gjelbër, digjitalizimin, lidhshmëri më të mirë, krijimin e vendeve të punës dhe punësimin e të rinjve, mbrojtjen e mjedisit dhe aftësinë rimëkëmbëse ndaj katastrofave natyrore, duke promovuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin ekonomik.
Mbështetje për modernizimin e kujdesit shëndetësor
Fokusi kryesor i Bankës së BE-së në sektorin e shëndetësisë është modernizimi, ristrukturimi dhe përmirësimi i sektorit të shëndetit publik në Ballkanin Perëndimor me projekte që promovojnë barazi në qasje dhe përmirësime në cilësinë e kujdesit për pacientët.
BEI-ja është e gatshme të sigurojë financim dhe asistencë teknike për sistemet e kujdesit shëndetësor në Ballkanin Perëndimor për të adresuar çdo mangësi dhe varësi, për të përmirësuar infrastrukturën spitalore dhe shndërruar ato në sisteme më të integruara dhe më të qëndrueshme të kujdesit shëndetësor kombëtar.
Banka ka hartuar një listë të plotë projektesh në këtë sektor që mbështetet në investimet e kaluara, disa prej të cilave janë zbatuar me mbështetjen e granteve të BE-së. Kjo përfshin 200 milion euro të investuara në Serbi për të mbështetur modernizimin, ri-zhvillimin dhe shtrirjen e qendrave klinike në Beograd, Nish, Novi Sad dhe Kragujevac. 200 milion euro të tjera u investuan në Serbi në kërkimin dhe zhvillimin publik, përfshirë përmirësimet në objektet ekzistuese të kërkimit mjekësor dhe infrastrukturë. Në Bosnje dhe Hercegovinë, Banka investoi 115 milion euro për rindërtimin e Qendrës Klinike në Banja Luka dhe ndërtimin e një spitali të ri në Bijeljina. Sot, disa nga këto institucione përbëjnë një element thelbësor në reagimin e vendeve të tyre ndaj pandemisë Covid-19.
Paralelisht, Banka e BE-së po ofron asistencë teknike për partnerët në rajon përmes burimeve të veta dhe granteve të BE-së (p.sh. WBIF) për të reformuar sektorët e kujdesit shëndetësor në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të BE-së, si dhe për të forcuar dhe rritur më tej kapacitetet.
Investimi në vende pune dhe zhvillimi i qëndrueshëm i Ballkanit Perëndimor
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme luajnë një rol kyç në rritjen ekonomike, inovacionin, integrimin shoqëror dhe krijimin e vendeve të punës, dhe ato punësojnë midis 60% - 80% të popullsisë në gjendje pune në Ballkanin Perëndimor.
BEI-ja do të reagojë ndaj sfidave të NVM-ve rajonale për shkak të pandemisë Covid-19. Grupi do të rrisë financimin e tij pavarësisht spektrit të tij të plotë të produkteve dhe shërbimeve në dispozicion të NVM-ve (kredi, garanci dhe shërbime këshilluese). Qëllimi është të adresojmë sfidat e menjëhershme me të cilat përballen NVM-të, si dhe të ruajmë aftësinë e tyre për të kryer investime në të ardhmen dhe të rikuperohen nga kriza aktuale. Një pjesë e kësaj mbështetje do të ofrohet në kuadër të Instrumentit të Zhvillimit të Ndërmarrjeve dhe Inovacionit në Ballkanin Perëndimor (EDIF), të mbështetur nga BE-ja.
Huadhënia e BEI-së për NVM-të dhe Midcaps në rajon përfaqëson gati gjysmën e huamarrjes totale të rajonit deri më sot. Financimi i BEI-së kanalizohet përmes institucioneve financiare vendase, të cilat më pas ua huazojnë këto fonde bizneseve të vogla dhe të mesme. Vetëm në dekadën e fundit, këto fonde kanë mbërritur tek rreth 28.400 NVM dhe kanë mbështetur më shumë se 200,000 vende pune në nivel rajonal.