- Ministrat u takuan sot në Luksemburg dhe mirëpritën planin e veprimit të paraqitur nga presidentja Calviño për të përditësuar përkufizimin e projekteve me përdorim të dyfishtë dhe për të zgjeruar linjat e kreditit të BEI-t për NVM-të dhe sipërmarrjet e reja inovative në siguri dhe mbrojtje.
- Në vijim të proceseve të miratimit të brendshëm të Grupit të BEI-t, Banka Evropiane e Investimeve do të përshtatë politikën e saj për kreditimin në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes, duke ruajtur kapacitetin e saj financues.
- Duke filluar nga 1 maji, do të krijohen një grup pune dhe "shërbime me një ndalesë" për të përmirësuar proceset e Grupit të BEI-t, dhe për të përshpejtuar kështu investimet dhe aksesin në 6 miliardë euro të parashikuara për projektet në këtë sektor.
- Grupi i BEI-t do të forcojë gjithashtu bashkëpunimin me Agjencinë Evropiane të Mbrojtjes dhe partnerë të tjerë për të rritur ndikimin, bashkëveprimet dhe mbulimin e ndërsjellë.
Grupi i Bankës Evropiane të Investimeve (Grupi i BEI-t) do të përditësojë politikat dhe kuadrin e tij për kreditimin lidhur me sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes. Kjo përfshin një përditësim të përkufizimit të mallrave dhe të infrastrukturës me përdorim të dyfishtë, si dhe mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) dhe sipërmarrjet e vogla, dhe angazhimin për të përshpejtuar shpërndarjen e fondeve me qëllim forcimin e sigurisë dhe të kapaciteteve mbrojtëse të Evropës.
Rritja e mbështetjes së Grupit të BEI-t për të ruajtur paqen dhe sigurinë e Evropës është një nga prioritetet kryesore strategjike të përshkruara nga presidentja Calviño dhe miratuar nga ministrat e Financave të BE-së, në takimin e tyre të shkurtit, si dhe nga Parlamenti Evropian. Më pas u ra dakord që propozimet konkrete të diskutoheshin në muajin prill.
Plani i veprimit për sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes i Grupit të BEI-t u prezantua sot nga presidentja e BEI-t, Nadia Calviño, në takimin e ministrave të Financave të BE-së (ECOFIN) në Luksemburg. Plani i veprimit vjen pas dy muajve të angazhimit intensiv me palët e interesuara të bankës, palët kryesore të interesit dhe tregjet, dhe vepron sipas mandatit të fundit të Këshillit Evropian për të përmirësuar më tej aksesin në financa për kompanitë evropiane në fushën e mbrojtjes, duke mbrojtur njëkohësisht kapacitetin financues të Grupit të BEI-t.
“Ne do të shtojmë dhe përshpejtojmë mbështetjen tonë për sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes të Evropës, duke ruajtur kapacitetin tonë financiar dhe standardet më të larta mjedisore, sociale dhe të qeverisjes. Si krahu financiar i BE-së, ne duhet të kontribuojmë në garantimin e paqes dhe të sigurisë së Evropës. Plani i veprimit i vënë në lëvizje sot do të përmirësojë kushtet e financimit për projektet evropiane. Ne do të punojmë së bashku me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së, për të përshpejtuar projektet që sigurojnë mirëqenien e qytetarëve tanë”, tha presidentja Calviño.
Në vazhdim, banka do të heqë dorë nga kërkesa që projektet me përdorim të dyfishtë të nxjerrin më shumë se 50% të të ardhurave të tyre të pritshme nga përdorimi civil. Kjo do ta lidhë Grupin e BEI-t me institucionet financiare publike që kufizojnë financimin e tyre në mënyrë të barabartë në pajisje dhe infrastrukturë, të cilat u shërbejnë nevojave mbrojtëse ushtarake ose të ruajtjes së rendit, si dhe nevojave civile, si zbulimi, survejimi, mbrojtja dhe kontrolli i spektrit, dekontaminimi, kërkim-zhvillimi, pajisja, gatishmëria ushtarake, kontrolli kufitar dhe mbrojtja e infrastrukturës tjetër kritike, si dhe dronët.
Për më tepër, Grupi i BEI-t do të përditësojë rregullat e veta për financimin e NVM-ve në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes. Kjo do të krijojë linja të dedikuara kreditimi për një numër të madh kompanish më të vogla dhe sipërmarrje të reja inovative, të cilat kërkojnë fonde për projekte me përdorim të dyfishtë.
Grupi i BEI-t planifikon gjithashtu të forcojë menjëherë partneritetet dhe bashkëpunimin me palët kryesore të interesuara, duke përfshirë nënshkrimin dhe përditësimin e memorandumeve të mirëkuptimit me Agjencinë Evropiane të Mbrojtjes dhe partnerë të tjerë.
Më e rëndësishmja është se banka planifikon gjithashtu të riorganizojë dhe përmirësojë proceset e saj të brendshme, duke krijuar një grup të posaçëm pune dhe shërbime të njësuara për projektet e sigurisë dhe të mbrojtjes, që do të jenë funksionale deri më 1 maj 2024. Kjo do të përshpejtojë investimet dhe aksesin në fondet e Grupit të BEI-t për klientët në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes së Evropës për të shpërndarë 6 miliardë euro financime të disponueshme në kuadër të Nismës Strategjike Evropiane të Sigurisë (SESI), dhe kështu do të rrisë më tej mbështetjen tashmë të konsiderueshme të BEI-t për sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes në Evropë sipas kuadrit ekzistues. Propozimet u nënshtrohen proceseve të brendshme të miratimit nga Grupi i BEI-t.
Të dhëna bazë
Grupi i Bankës Evropiane të Investimeve ka mbështetur aktivisht investimet që përforcojnë sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë në Evropë që nga viti 2017. Përfituesit e financimit të Grupit të BEI-t variojnë nga emrat e njohur në sektorin e mbrojtjes deri te sipërmarrjet e reja inovative.
Sipas Nismës së saj Strategjike Evropiane të Sigurisë (SESI), zgjeruar menjëherë pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, BEI ka caktuar 8 miliardë euro financime për periudhën 2022–2027. Për më tepër, FEI njoftoi në janar 2024 instrumentin për kapitalin e mbrojtjes, me vlerë 175 milionë euro, i cili mund të mbështesë NVM-të dhe sipërmarrjet e reja në këtë fushë, si p.sh. ato në fushën e sigurisë kibernetike. Marrëveshjet e financimit të nënshkruara në kuadër të SESI, që nga fillimi i luftës tashmë kanë kaluar vlerën e 2 miliardë eurove.
Projektet që kualifikohen në kudër të SESI do të përfshijnë gatishmërinë ushtarake, hapësirën, sigurinë kibernetike, sigurinë e gjelbër, infrastrukturën kritike, mbrojtjen e kufijve dhe investime të tjera me përdorim të dyfishtë, si p.sh. dronët. Hollësi të mëtejshme mund të gjenden në faqen e dedikuar të BEI-t në internet.
Banka Evropiane e Investimeve është institucioni kreditues afatgjatë i Bashkimit Evropian, në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ajo financon investime që kontribuojnë në qëllimet e politikave të BE-së. Projektet e BEI-t forcojnë konkurrencën, nxisin inovacionin, promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm, përmirësojnë kohezionin social dhe territorial, kontribuojnë në paqe dhe siguri, dhe mbështesin një tranzicion të drejtë dhe të shpejtë drejt neutralitetit klimatik. Vlerësimi “AAA” nga ana e grupit i lejon atij të marrë hua me kushte të favorshme në tregjet globale, duke sjellë përfitime për klientët e tij brenda BE-së dhe më gjerë. Grupi ka standardet më të larta të ESG dhe një raport kapitali të nivelit të parë prej 32%.