>@Mirova
© Mirova
  • Disponueshmëria e kufizuar e të dhënave pengon financimin për klimën dhe mbikëqyrjen e kujdesshme të bankave
  • NVM-ve shpesh u mungon ndërgjegjësimi dhe informacioni i nevojshëm për të kuptuar rreziqet financiare të shkaktuara nga ndryshimet klimatike
  • Investime masive dhe rrjedhimisht financime afatgjata, nevojiten për të dekarbonizuar sektorin e energjisë elektrike në EQLJ dhe për të përmirësuar efikasitetin e energjisë në ndërtesa, dhe bankat do të luajnë një rol kyç
  • Filialet vendase në pronësi të huaj mund të jenë katalizator në zhvillimin e tregut të qëndrueshëm financiar

Banka Evropiane e Investimeve (BEI) publikon sot studimin e gjerë të kryer nga grupi i punës i Nismës së Vjenës për ndryshimet klimatike dhe stabilitetin financiar, me titull "Gjelbërimi i sektorit financiar: Një perspektivë e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore.”

Raporti ofron njohuri dhe rekomandime të vlefshme për t’u orientuar në kompleksitetin e rreziqeve të lidhura me klimën dhe për të nxitur praktikat e qëndrueshme financiare në të gjithë Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ).

Studimi thekson ndikimin e rëndësishëm të disponueshmërisë së kufizuar të të dhënave të ESG në EQLJ, çka redukton aftësinë e bankave për të menaxhuar me efikasitet rreziqet klimatike dhe minon efikasitetin e një mbikëqyrjeje të kujdesshme.

Ndërkohë që korporatat e mëdha brenda Bashkimit Evropian janë përshtatur me sukses ndaj kërkesave të fuqishme të raportimit dhe po plotësojnë kërkesat në rritje të standardeve të ESG, kompanive, veçanërisht mikrondërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) që janë të përhapura në rajon, shpesh u mungon informacioni i nevojshëm dhe ndërgjegjësimi për të kuptuar klimën dhe rreziqet financiare me të cilat përballen.

Sipas Ambroise Fayolle, zv/president i Bankës Evropiane të Investimeve: "Raporti nënvizon rolin kritik të sektorit financiar në drejtimin e tranzicionit drejt një ekonomie më të qëndrueshme dhe arritjen e synimeve të tranzicionit të gjelbër të BE-së. Përpjekjet e koordinuara për të zhbllokuar potencialin e financimit të qëndrueshëm në rajonet e EQLJ-së janë vendimtare për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm. BEI si bankë e BE-së për klimën është plotësisht e përkushtuar për të ofruar mbështetje të vazhdueshme për bizneset dhe për të mundësuar kalimin drejt burimeve të rinovueshme."

Katalizatorët në zhvillimin e financave të qëndrueshme në të gjithë EQLJ-në mund të jenë filialet vendase në pronësi të huaj, duke pasqyruar praktikat më të mira të vendeve të tyre të origjinës, duke u siguruar që bankat mëmë të zbatojnë kuadrin e tyre të menaxhimit të rrezikut për filialet.

Për më tepër, raporti trajton çështjet kyçe rregullatore dhe mbikëqyrëse, duke theksuar domosdoshmërinë për një mbikëqyrje të fortë dhe testim stresi të aktiviteteve të bankave në lidhje me rreziqet klimatike. Raporti gjithashtu thellohet në dekarbonizimin e sektorëve industrialë, të ndërtesave, si dhe, me një fokus të veçantë në sektorin e energjisë elektrike, identifikimin e barrierave për investime, kompleksitetet rregullatore dhe mundësitë e financimit për të lehtësuar tranzicionin e gjelbër në EQLJ. Pjesa e burimeve të rinovueshme në kërkesën për energji elektrike, për shembull, është vendosur të rritet nga rreth 30% sot në 50% deri në vitin 2030 dhe në 75–85% deri në vitin 2050.

"Raporti ofron një udhërrëfyes për vendet e EQLJ-së për të lidhur sektorët e tyre financiarë me parimet e qëndrueshmërisë", shtoi Debora Revoltella, kryeekonomiste e Bankës Evropiane të Investimeve. “Trajtimi i boshllëqeve të të dhënave në të gjithë Evropën është i domosdoshëm për të përmirësuar mundësinë e kryerjes së krahasimeve dhe për të trajtuar me efikasitet sfidat duke zhvilluar kapacitetet e nevojshme dhe strategjitë financiare.”

Më shumë informacion ofrohet këtu.

Të dhëna bazë

Rreth BEI-t

Banka Evropiane e Investimeve është institucioni kreditues afatgjatë i Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ajo siguron financim dhe ekspertizë për projektet që kontribuojnë në objektivat e BE-së. Grupi i BEI-t punon ngushtë me partnerët e sektorit publik dhe privat për të mbështetur investimet e qëndrueshme, krijimin e vendeve të punës, rritjen ekonomike dhe inovacionin në të gjithë Evropën.

Rreth Nismës së Vjenës

Nisma e Vjenës për koordinim e Bankës Evropiane është një forum për vendimmarrje dhe koordinim që bën bashkë palët e interesuara të sektorit publik dhe privat të bankave ndërkombëtare me bazë në BE në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, duke përfshirë bankat qendrore dhe rregullatorët, bankat tregtare dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Nisma e Vjenës nisi në janar 2009 në kulmin e valës së parë të krizës financiare globale. Grupet tematike pune u krijuan në kuadër të Nismës së Vjenës për të shkëmbyer njohuritë dhe praktikat më të mira. Grupi i punës për ndryshimet klimatike dhe stabilitetin financiar u krijua në vitin 2021 dhe funksionoi deri në vitin 2023, duke organizuar një sërë seminaresh dhe raportin "Gjelbërimi i sektorit financiar: Një perspektivë e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore.