- BEI Globale synon të luajë një rol kyç në paraqitjen e paketës mbështetëse të BE-së për energjinë për Ballkanin Perëndimor
- Zëvendëspresidentja, Pavlova, nënvizoi gjithashtu rëndësinë e huasë së kombinuar të BEI-t dhe të granteve të BE-së për projektet e reja rajonale në sektorët e transportit të qëndrueshëm, mjedisit, shëndetësisë dhe arsimit
- Banka e BE-së synon të vendosë më shumë ekspertë në terren dhe të intensifikojë mbështetjen këshillimore për të zbatuar planin ekonomik dhe të investimeve të BE-së
Në samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor të organizuar në Tiranë, zëvendëspresidentja e Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), Lilyana Pavlova, premtoi ndihmë për nevojat urgjente afatshkurtra të rajonit që rrjedhin nga lufta e Rusisë në Ukrainë nga BEI Globale, krahu i dedikuar i bankës i fokusuar në veprimet jashtë BE-së. Kjo mbështetje do të materializohet përmes projekteve të reja që BEI Globale planifikon të financojë në rajon për vendosjen e energjisë së pastër, zgjerimin e rrjeteve të energjisë elektrike dhe infrastrukturën ruajtëse, si dhe mbështetjen për sektorin privat për zbatimin e masave të efikasitetit energjetik. Ajo konfirmoi se banka është plotësisht në linjë me paketën e mbështetjes energjetike prej 1 miliardë eurosh që është shpallur nga Komisioni Evropian dhe synon të luajë një rol kyç në zbatimin e saj.
“Kemi kënaqësinë të shohim se paketa përmban asistencë për të mbështetur përmirësimin e kuadrit politik, legjislativ dhe institucional për sektorin e energjisë. Përmirësimet në këto zona do të kenë një ndikim pozitiv në shpejtësinë me të cilën BEI Globale dhe partnerët tanë vendorë mund të prezantojnë investimet në infrastrukturë ose të sigurojnë financim për sektorin privat", - deklaroi zëvendëspresidentja Pavlova.
Përveç mbështetjes në fushën e energjisë, banka e BE-së do të intensifikojë ndërthurjen e saj gjithëpërfshirëse të masave të huadhënies, kombinimit dhe shërbimeve këshillimore dhe do të vendosë më shumë ekspertë në terren për të mbështetur sektorët e lidhjes, tranzicionit të gjelbër dhe digjital, arsimit dhe kujdesit shëndetësor. Promovimi i zhvillimit, digjitalizimi dhe dekarbonizimi i sektorit privat do të jetë gjithashtu në fokusin e bankës. Në këtë drejtim, Fondi Evropian i Investimeve (FEI), filial i grupit të BEI-t, ka paraqitur Garancinë për Rimëkëmbjen e NVM-ve me Fondin për Inovacionin dhe Zhvillimin e Ndërmarrjeve të Ballkanit Perëndimor (FIZHN BP), e cila synon t'u përgjigjet vështirësive ekonomike duke rritur aksesin në financa për rreth 4000 NVM të rajonit. Zëvendëspresidentja tërhoqi gjithashtu vëmendjen për grantet e BE-së të miratuara së fundmi nga kuadri i investimeve për Ballkanin Perëndimor. “Këto grante po na ndihmojnë gjithashtu për të ecur përpara me projekte të rëndësishme të ndërlidhjes në hekurudhat e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si dhe investimet në sektorin e arsimit në Mal të Zi. Këtu në Shqipëri, ne po kryejmë punë përgatitore që do të kontribuojnë në shndërrimin e Tiranës në një qytet të gjelbër dhe të qëndrueshëm dhe mezi presim të punojmë me qeverinë, Komisionin Evropian dhe kolegët tanë në EBRD për investime të rëndësishme hekurudhore", - përfundoi fjalën e saj zëvendëspresidentja Pavlova.
Siç është njoftuar tashmë, BEI Globale po punon gjithashtu në zhvillimin e projekteve të reja të energjisë së rinovueshme - impiante diellore në Kosovë* dhe fermat e erës në Bosnjë-Hercegovinë. Banka do të ndihmojë në mënyrë aktive sektorin privat për të financuar masat dhe investimet që lidhen me efikasitetin e energjisë për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër.
Të dhëna bazë
Rreth BEI Globale:
BEI Globale është krahu i ri i specializuar i Grupit të BEI, i dedikuar për rritjen e ndikimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe financave të zhvillimit. BEI Globale ka për qëllim të nxisë partneritet të fortë dhe të fokusuar brenda Team Europe, së bashku me institucionet e tjera financiare të zhvillimit dhe shoqërinë civile. BEI Globale e afron grupin më pranë njerëzve, kompanive dhe institucioneve vendase përmes zyrave tona në mbarë botën.
Rreth BEI-t në Ballkanin Perëndimor
BEI është një financues kryesor ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor. Që prej vitit 2009, banka ka financuar projekte me vlerë gjithsej prej thuajse 9,5 miliardë eurosh në rajon. Përveç vijimit të mbështetjes së saj për rindërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, që prej vitit 2010, BEI është shtrirë në shumë fusha të reja, të tilla si shëndetësia, kërkim-zhvillimi, arsimi dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të).
* Ky përcaktim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve mbi statusin dhe është në përputhje me UNSCR 1244/1999 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës