- Marrëveshja demonstron përkushtimin e BEI Globale nën Team Europe për të rritur aksesin në financa për NVM-të e Maqedonisë së Veriut dhe për të mbështetur rritjen e tyre të qëndrueshme
- Fondet do të ndahen për adresimin e nevojave për likuiditet dhe investime, me fokus të veçantë në projektet e gjelbra
- Që nga viti 2019, BEI Globale ka ofruar 212 milionë euro për biznesin e vogël në vend, duke kontribuar në ruajtjen e mbi 46 000 vendeve të punës dhe krijimin e 1815 pozicioneve të reja
Në bashkëpunim me Bankën për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut (DBNM) dhe bankat tregtare vendase, BEI Globale, krahu i Bankës Evropiane të Investimeve për aktivitete jashtë Bashkimit Evropian, do të sigurojë 100 milionë € për të nxitur zhvillimin dhe tranzicionin e gjelbër të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) dhe me kapital të mesëm në vend. Fondet do të trajtojnë nevojat për likuiditet dhe investime të bizneseve vendase dhe do të financojnë projektet e energjisë dhe të tranzicionit të gjelbër. Në këtë mënyrë, financimi i ri do të mbështesë rritje me karbon të ulët dhe qëndrueshmëri ndaj klimës në Maqedoninë e Veriut, në përputhje me planin ekonomik dhe të investimeve të Bashkimit Evropian dhe agjendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Nënkryetarja e BEI-t, Lilyana Pavlova, përgjegjëse për operacionet në Maqedoninë e Veriut, tha: “Krizat e vazhdueshme energjetike dhe ekonomike po bëjnë një goditje të mëtejshme në financat e kompanive lokale, të cilat tashmë janë të kufizuara me kredi. Përmirësimi i aksesit në financa për NVM-të dhe stabiliteti i sektorit bankar janë prioritete drejt rritjes ekonomike, krijimit të vendeve të punës dhe konkurrencës. Duke pasur parasysh këtë, linja jonë e kreditit mbështet si objektivat klimatike të vendit, ashtu edhe rritjen e NVM-ve. Të dyja janë kritike për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe prosperitet në rajonin më të gjerë.”
Fondet janë pjesë e grupit të masave të miratuara nga qeveria e Maqedonisë së Veriut në vitin 2022 për të mbështetur familjet dhe bizneset në mes të ngadalësimit ekonomik dhe krizës energjetike. Një asistencë teknike plotësuese do të nënshkruhet në muajt e ardhshëm për të mbështetur DBNM, bankat tregtare vendase dhe kompanitë në Maqedoninë e Veriut në ambiciet e tyre të financave të gjelbra.
Siç tha ministri i Financave, Fatmir Besimi, kjo mbështetje ofrohet në vazhdimësi dhe në momentin e duhur për të inkurajuar kompanitë në kohë sfidash të krijuara nga kriza energjetike, si dhe për të promovuar planin e tranzicionit energjetik të vendit.
“Kapitali i ri prej 100 milionë eurosh do të injektohet në ekonominë kombëtare, duke zgjeruar mbështetjen për likuiditetin e kompanive dhe investimet në energjitë e rinovueshme, duke siguruar kështu stabilitet në funksionimin e tyre, si dhe furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike nga burimet e brendshme. Ky është një proces që ne e kemi kryer me sukses së bashku me Bankën Evropiane të Investimeve, Bankës për Zhvillim dhe bankave tregtare në vend”.
Kjo është marrëveshja e 7-të e bashkëpunimit ndërmjet DBNM dhe BEI-t. Me 6 marrëveshjet e mëparshme të bashkëpunimit janë ndarë 550 milionë euro për të mbështetur 2362 kompani vendore. Kjo është linja e parë e përbashkët e kredisë e bankave me komponentin e veprimit klimatik dhe qëndrueshmërisë mjedisore, që synon mbështetjen e transformimit të gjelbër të ekonomisë vendase.
Drejtori i përgjithshëm i Bankës për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut, Kire Naumov, tha: “Falë rolit aktiv dhe mbështetjes së përhershme të Bankës Evropiane të Investimeve, ne kemi mundur të vazhdojmë me realizimin e ndikimit pozitiv të burimeve financiare të BE-së në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës, tranzicionin e gjelbër dhe digjital në vend. Me marrëveshjen e bashkëpunimit EIB 7, DBNM do të vazhdojë të mbështesë NVM-të dhe të forcojë rolin e saj në mbështetjen e financimit të gjelbër.”
Ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, David Geer, tha: “Kjo linjë kredie do të mbështesë investimet e sektorit privat në efikasitetin energjetik, burimet e rinovueshme të energjisë dhe ekonominë rrethore. Ajo do të ofrojë mundësi për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut duke kontribuar në një të ardhme të qëndrueshme, me zero karbon neto. Më konkretisht, kjo linjë e gjelbër kredie - e promovuar nga BE-ja dhe BEI së bashku - do të ndihmojë kompanitë e vogla dhe të mesme të Maqedonisë së Veriut të bëhen më konkurruese dhe novatore në kontekstin e tranzicionit të gjelbër të sotëm me ritme të shpejta. “
BEI Globale ka investuar 212 milionë euro në sektorin privat në vend që nga viti 2019. Banka po kërkon të mobilizojë investime të mëtejshme për zhvillimin e sektorit privat në Maqedoninë e Veriut nën Fondin Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus (EFSD+) dhe garancitë më të fundit të BE-së që inkurajojnë investimet e gjelbra, novacionin dhe tranzicionin digjital në rajon.
Informacion përshkrues
Rreth BEI-t dhe BEI Globale
BEI është institucioni financues afatgjatë i Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ai vë në dispozicion financime afatgjata për investime të shëndosha në mënyrë që të kontribuojë drejt qëllimeve të politikës së BE-së. BEI mbështet projekte në katër fusha prioritare: infrastrukturë, inovacion, klimë dhe mjedis, dhe ndërmarrje të vogla e të mesme (NVM). BEI Globale është krahu i specializuar i Grupit të BEI-t, i dedikuar për rritjen e ndikimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe financave të zhvillimit, si dhe një partner kyç i Global Gateway. Ne synojmë të mbështesim investime me vlerë 100 miliardë eurosh deri në fund të vitit 2027— rreth një të tretën e objektivit të përgjithshëm të kësaj nisme të BE-së. Brenda “Team Europe”, BEI Globale nxit partneritete të forta dhe të fokusuara së bashku me institucionet e tjera financiare të zhvillimit dhe shoqërinë civile. BEI Globale e afron Grupin e BEI-t më pranë njerëzve, kompanive dhe institucioneve vendase përmes zyrave tona në mbarë botën.
Rreth Bankës për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut
Banka për Zhvillim e Maqedonisë së Veriut është e vetmja bankë zhvillimi në Republikën e Maqedonisë së Veriut e themeluar dhe që vepron sipas një ligji të posaçëm për Bankën për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut. Objektivi parësor i DBNM është të mbështesë dhe të nxisë zhvillimin e ekonomisë kombëtare në përputhje me politikat strategjike, objektivat dhe prioritetet e vendit. Misioni i DBNM është që nëpërmjet promovimit dhe ofrimit të produkteve financiare të favorshme për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të përmirësojë konkurrencën e brendshme, të mbështesë eksportet, si dhe rritjen dhe zhvillimin ekonomik.
Rreth BEI-t në Maqedoninë e Veriut
BEI ka qenë aktive në territorin e Maqedonisë së Veriut që nga themelimi i saj në vitin 1991, duke dhënë financim për të mbështetur projekte kyçe të infrastrukturës, autoritetet lokale dhe NVM-të. BEI ka dhënë €1,2 miliardë euro financim për NVM-të dhe projektet e infrastrukturës së transportit, energjisë dhe shërbimeve. Për më shumë informacion në lidhje me projektet e BEI-t në Maqedoninë e Veriut, vizitoni Maqedonia e Veriut dhe BEI.
Rreth BEI-t në Ballkanin Perëndimor
BEI është një nga financuesit kryesorë ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor. Për informacion të detajuar mbi aktivitetet e BEI-t në këtë rajon, vizitoni www.eib.org/en/publications/the-eib-in-the-western-balkans.