Search En menu en ClientConnect
Search
Results
Top 5 search results See all results Advanced search
Top searches
Most visited pages
    • Oferta për kredi pritet të përmirësohet ndjeshëm këtë vit në rajonin e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, me forcimin e mëtejshëm të kërkesës për kredi.
    • Rentabiliteti i bankave ka përfituar nga rritja e të ardhurave neto nga interesi.
    • Bankat kanë interes të zgjerohen në rajon.

    Banka Evropiane e Investimeve publikoi sot rezultatet më të fundit të Anketës së huadhënies bankare në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ), e cila ofron një analizë të thellë të dinamikës së kreditimit dhe zhvillimeve të sektorit bankar në 12 vende të rajonit. Anketa tregon për një perspektivë pozitive për kreditimin në muajt në vijim, duke mbuluar 70 filiale vendase dhe banka vendase si dhe 12 grupe bankare ndërkombëtare.

    Bankat presin të shohin rritje të kërkesës nga klientët për kredi në të gjitha kategoritë, ku kërkesa për kredi hipotekare pritet të ketë rritjen më të fortë dhe investimet e korporatave pritet të rimëkëmben pas një periudhe rritjeje të ngadaltë.

    Shtrëngimi i ofertës së kredisë në fillim të vitit 2022, i shkaktuar nga konflikti në Ukrainë, inflacioni dhe normat më të larta të interesit pritet të përfundojnë së shpejti me përmirësime të forta në të gjitha segmentet, veçanërisht për kreditë hipotekare dhe konsumatore.

    Bankat në rajon cituan një përmirësim të perspektivës së tregut dhe kushte më të mira financimi, si faktorë që kontribuojnë në lehtësimin e standardeve të kredisë, duke sinjalizuar gatishmërinë e shtuar të bankave për të dhënë kredi për klientët e tyre.

    "Perspektiva pozitive e reflektuar në Anketën e huadhënies bankare në EQLJ-së është një shenjë inkurajuese për zhvillimin ekonomik të rajonit," tha zëvendëspresidenti i BEI-t, Kyriacos Kakouris. “Me forcimin e sektorit bankar, ne presim të shohim progres të vazhdueshëm në konvergjencën ekonomike të rajonit dhe rritjen e investimeve, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimi e standardeve të jetesës në të gjithë Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore.”

    Normat më të forta të kapitalit do t'u ofrojnë bankave fleksibilitet më të madh për të mbështetur rritjen e kreditimit. Për më tepër, bankat thonë se rentabiliteti i tyre në rajonin e EQLJ-së në krahasim me operacionet e përgjithshme të grupit është përmirësuar, ku filialet kanë rezultuar mesatarisht më fitimprurëse se bankat e tyre mëmë.

    Kur u pyetën për strategjitë e tyre afatgjata, 58% e grupeve bankare ndërkufitare shprehën gatishmërinë e tyre për të zgjeruar në mënyrë selektive ose për të ruajtur të njëjtin nivel operacionesh në rajon. Ky është një përmirësim i dukshëm në krahasim me tri raundet e mëparshme të anketimit, ku kjo shifër ishte përkatësisht 50%, 45% dhe 30%.

    Cilësia e kredisë në rajon po përmirësohet gjithashtu. Pas rënies në vitin 2023, shkalla e kredive me probleme parashikohet të vijojë të ulet në vende të ndryshme të EQLJ-së në vitin 2024.

    “Anketa e huadhënies bankare në EQLJ nxjerr në pah një sektor bankar në rritje dhe me pritshmëri të shëndetshme të rritjes së kreditimit në të gjithë rajonin”, tha drejtoresha ekonomike e BEI-t, Debora Revoltella. “Pas një periudhe sfiduese, bankat po bëhen gjithnjë e më optimiste për perspektivën ekonomike dhe perspektivat e tyre të biznesit. Megjithatë, financat në rajon janë pothuajse ekskluzivisht të bazuara në banka, ndërsa transformimet strukturore dhe inovacioni kërkojnë burime më të larmishme financimi, si dhe tregje kapitale më të zhvilluara dhe më të integruara në BE.

    Raporti i plotë i anketës së huadhënies bankare në EQLJ është i disponueshëm këtu.

    Të dhëna bazë

    Rreth BEI-t

    Banka Evropiane e Investimeve është institucioni kreditues afatgjatë i Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ajo siguron financim dhe ekspertizë për projektet që kontribuojnë në objektivat e BE-së. Grupi i BEI-t punon ngushtë me partnerët e sektorit publik dhe privat për të mbështetur investimet e qëndrueshme, krijimin e vendeve të punës, rritjen ekonomike dhe inovacionin në të gjithë Evropën.

    Rreth anketës së huadhënies bankare në EQLJL

    Anketa e huadhënies bankare në EQJL u zhvillua në kontekstin e Nismës së Vjenës 2.0 për të monitoruar aktivitetet bankare ndërkufitare, për të kuptuar dinamikën e kreditimit dhe për të fituar njohuri mbi strategjitë e biznesit dhe pritshmëritë e bankave që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Anketa u administrua nga Banka Evropiane e Investimeve.

    Contact

    Reference

    2024-217-SQ