>@EIB
  • Banka e BE-së mirëpret angazhimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të vënë në zbatim Axhendën e Gjelbër dhe për të zhvilluar një treg të përbashkët rajonal.
  • BEI-ja shprehu mbështetje për Planin Ekonomik dhe të Investimeve të shpallur nga Komisioni Evropian, duke u përqendruar në lidhshmërinë dhe tranzicionin e qëndrueshëm, të gjelbër dhe dixhital drejt një tregu të integruar rajonal.
  • Si pjesë e paketës së saj financiare prej 1.7 miliardë eurosh për rajonin, e miratuar në maj në përgjigje të pandemisë, BEI-ja ka mobilizuar tashmë mbi 1 miliardë euro për të adresuar pasojat negative të krizës së COVID-19.

Siç u njoftua në Samitin e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, të mbajtur më 10 nëntor, Banka Evropiane e Investimeve (BEI) mirëpret angazhimet e bëra nga udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve të Komisionit Evropian. Ai u jep përparësi investimeve në fushat e lidhshmërisë dhe tranzicionin e gjelbër të rajonit dhe të orientuar nga dixhitalizimi drejt ekonomive të bazuara në njohuri, përfshirëse dhe të qëndrueshme. Presidenti Hoyer u zotua për mbështetje aktive të BEI-së për investime të tilla. Në përputhje me theksin e Planit mbi nevojën për rritjen e investimeve private, BEI-ja dhe Fondi Evropian i Investimeve (FEI) do të përdorë instrumente të rinj financiarë për të mbështetur zhvillimin e sektorit privat nën kuadrin e Instrumentit të ri të Garancisë për Ballkanin Perëndimor.

Pjesëmarrësit në samit - duke përfshirë BEI - deklaruan gatishmërinë e tyre për të punuar mbi Axhendën e Gjelbër dhe një treg të përbashkët rajonal. Si bankë e BE-së për klimën, BEI-ja do të ofrojë mbështetje financiare dhe teknike për investime që mundësojnë tranzicion të gjelbër në rajon. Kjo përfshin mbështetjen për futjen graduale të furnizimit me energji të ripërtërishme, të larmishme dhe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor, duke synuar për një rajon neutral ndaj karbonit në planin afatgjatë. Këto iniciativa do të mbështesin gjithashtu Marrëveshjen e Gjelbër të Komisionit Evropian dhe veprimin për ta bërë Evropën kontinentin e parë neutral ndaj klimës deri në vitin 2050.

Banka e BE-së do t'u japë gjithashtu përparësi investimeve në transformimin digjital të Ballkanit Perëndimor. Futja e teknologjive inteligjente me bazë dixhitale do të inkurajojë rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të burimeve ekonomike dhe njerëzore në rajon. Investimet në dixhitalizim pritet të mundësojnë një rimëkëmbje më të shpejtë, të rrisin zhvillimin e sektorit privat dhe të përmirësojnë efikasitetin e administratës publike dhe aftësinë e saj për të vepruar edhe përballë sfidave të tilla si COVID-19. Ndërtimi i rrjeteve më të mira të energjisë, dixhitale dhe transportit do të mbështesë zhvillimin e një tregu të përbashkët dhe të integruar rajonal, me flukse më të larta tregtare, konkurrencë të shtuar dhe mundësi të reja pune.

Werner Hoyer, Presidenti i BEI-së, tha: Mundësimi i investimeve më të mëdha në rajon është një ndër qëllimet kryesore të procesit të Berlinit dhe ne mirëpresim ngrohtësisht Planin Ekonomik dhe të Investimeve të përshkruar nga Komisioneri Várhelyi. BEI-ja pret të intensifikojë bashkëpunimin tonë të gjatë me Komisionin, Shtetet Anëtare të BE-së, kolegët e INF-ve dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor për zbatimin e tij. Si bankë e BE-së për klimën dhe me qëllime ambicioze për avancimin e veprimeve për klimën, ne kemi kënaqësinë të shohim angazhimin e fortë politik nga të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor sot këtu për të vënë në zbatim Axhendën e Gjelbër. BEI-ja është e gatshme t'ju mbështesë teknikisht dhe financiarisht në këtë detyrë sfiduese, por jetike. Nisma për Tregun e Përbashkët Rajonal, që keni njoftuar, është një shembull i mirë se si rajoni mund të shpejtojë axhendën e tij të reformave në përmirësimin e mjedisit ekonomik. Është një nismë në kohën e duhur ndërsa shkojmë drejt një rikuperimi pas COVID-it. Mundësimi i qarkullimit më të madh të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe fuqisë punëtore tepër të aftë do ta bëjë rajonin më tërheqës për investime dhe tregti; dhe gjithashtu do të përshpejtojë konvergjencën me BE-në, e cila nga ana tjetër do të rrisë më tej besimin e investuesve.”

Olivér Várhelyi, Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, i BE-së “Komisioni Evropian do të punojë ngushtë me institucionet ndërkombëtare financiare si BEI-ja për ta kthyer Planin Ekonomik dhe të Investimeve në projekte konkrete, duke filluar me përparësitë kryesore. Plani është një themel i fortë, mbi të cilin mund të ngremë qëllimin tonë të përbashkët për ta bërë rajonin e Ballkanit Perëndimor më të qëndrueshëm, më të suksesshëm financiarisht dhe për të përshpejtuar rrugën e tij evropiane. Ai mund të ndryshojë peizazhin ekonomik të rajonit për 4 deri në 5 vjet.”

EIB President Werner Hoyer's speech

Rreth BEI-së në Ballkanin Perëndimor

BEI-ja është një nga financuesit kryesorë ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor. Që prej vitit 2008, Banka ka financuar projekte në vlerë prej 8.5 miliardë euro në rajon. Përveç vijimit të mbështetjes së saj për rindërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, që prej vitit 2010, BEI-ja është shtrirë në shumë fusha të reja, të tilla si kujdesi shëndetësor, kërkimi dhe zhvillimi, arsimi dhe NVM-të. Për informacion të detajuar mbi veprimtaritë e BEI-së në Ballkanin Perëndimor, klikoni faqen e mëposhtme të internetit: www.eib.org/en/publications/the-eib-in-the-western-balkans