- Deri më sot, BEI ka investuar mbi 5 miliardë euro në sektorin e transportit të Ballkanit Perëndimor, duke mbështetur bashkëpunimin dhe lidhjet rajonale
- Banka e BE-së ka realizuar angazhimin e vet prej 1,7 miliardë eurosh nën përgjigjen e Team Europe ndaj COVID-19
- Gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2021, BEI tashmë ka rritur mbështetjen për rajonin duke investuar afro 600 milionë euro në infrastrukturën jetike dhe projektet e NVM-ve
Werner Hoyer, kryetar i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), banka e Bashkimit Evropian, foli në Samitin e Ballkanit Perëndimor më 5 korrik dhe riafirmoi angazhimin e fortë të BEI-t për Ballkanin Perëndimor, si dhe gatishmërinë e saj për të intensifikuar mbështetjen për kalimin drejt një rritjeje më të gjelbër, më digjitale dhe më gjithëpërfshirëse ekonomike.
Procesi i Berlinit mundësoi zhvillimin e një partneriteti midis shteteve anëtare të BE-së dhe partnerëve të përfshirë të Ballkanit Perëndimor, duke ndihmuar në avancimin e agjendës për mundësitë e lidhjeve në rajon. Gjithashtu ka krijuar konsensus politik në mbarë rajonin dhe ka marrë mbështetjen e BE-së për masat strategjike të agjendës së gjelbër, transformimin digjital dhe tregun e përbashkët rajonal.
Kryetari i BEI-t, Werner Hoyer, tha: “Kam gëzimin t’ju bashkohem për të festuar procesin e Berlinit që ka sjellë rajonin dhe qytetarët e tij më pranë njëri-tjetrit, si dhe më pranë BE-së. Financimi i lidhur me këtë progres ka qenë mbresëlënës. Dhe kjo mbështetje nuk u zvogëlua gjatë këtyre kohërave të nevojës: nisma Team - në të cilën BEI është financuesi kryesor - thekson angazhimin dhe solidaritetin e BE-së me rajonin.”
Mbështetje prej shumë miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor
Që nga viti 2009, BEI i ka kushtuar thuajse 10 miliardë euro Ballkanit Perëndimor në të gjithë sektorët kryesorë ekonomikë, duke mbështetur projektet jetike të infrastrukturës dhe zhvillimin e sektorit privat. Si një partner aktiv në procesin e Berlinit që në fillimet e tij, BEI do të vazhdojë të mbështesë prioritetet strategjike dhe të sigurojë ekspertizë financiare dhe teknike për projektet e infrastrukturës strategjike të rajonit, si dhe reformat e nevojshme legjislative.
BEI mbetet plotësisht e angazhuar në zhvillimin socio-ekonomik të rajonit dhe vazhdon të ofrojë mbështetje praktike për procesin e pranimit. Që nga takimi i parë i procesit të Berlinit shtatë vjet më parë, BEI ka investuar afro 1,7 miliardë euro vetëm në projekte të transportit, duke përmirësuar standardet e jetesës dhe të të bërit biznes në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Mbështetje jetike për rimëkëmbjen më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor ndaj COVID-19
Banka e BE-së ka qenë gjithashtu në ballë të mbështetjes së BE-së për rimëkëmbjen më të shpejtë të ekonomive të Ballkanit Perëndimor nga COVID-19, duke realizuar angazhimin e saj prej 1,7 miliardë eurosh të shpallur nën nismën Team Europe në maj 2020. Kjo mbështetje e BEI-t ka ndihmuar që rajoni të lehtësojë disa nga pasojat e menjëhershme të pandemisë, të rimëkëmbet më shpejt dhe të forcojë sektorët kryesorë të ekonomisë – infrastrukturën dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të). Vetëm në vitin 2021, Banka ka shkallëzuar mbështetjen e saj financiare për Ballkanin Perëndimor duke investuar rreth 600 milionë euro në projekte në Serbi, Maqedoni Veriore, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë*.
Plani ekonomik dhe i investimeve – baza solide për të zhbllokuar deri në 20 miliardë euro në mundësitë e reja të investimeve të qëndrueshme
Banka e BE-së pret që të bashkëpunojë me Komisionin Evropian, financuesit e tjerë dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor në implementimin e e planit ekonomik dhe të investimeve të Komisionit prej 9 miliardë eurosh për rajonin.
"BEI është një urë ku politika e BE-së takon projektet e shëndosha. Ne mbështesim fuqimisht angazhimin e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe pozicionin që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në BE", përfundoi kryetari Hoyer.
Me Komisionin Evropian dhe financuesit tanë partnerë, si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka planifikon të përshpejtojë zbatimin e projekteve në terren, duke siguruar që investimet të japin rezultate konkrete për qytetarët dhe bizneset në rajon dhe të kontribuojnë duke përshpejtuar konvergjencën dhe pranimin. BEI gjithashtu po bashkorganizon samitin hekurudhor të Komisionit Evropian që do të mbahet në shtator në bashkëpunim me Komunitetin e Transportit dhe BERZH-in për të shënuar Vitin Evropian të Hekurudhës. Samiti do të krijojë një platformë për diskutim rreth politikave dhe çështjeve të projekteve hekurudhore të përshkruara në planin ekonomik dhe të investimeve për rajonin dhe në strategjinë e qëndrueshme dhe inteligjente portative.
Si banka e klimës e Be-së, BEI do të mbështesë në mënyrë aktive kalimin drejt një model më të gjelbër, më digjital dhe më të qëndrueshëm ekonomik, si në aspektin e zhvillimit të infrastrukturës dhe atë të sektorit privat. Përveç investimeve rreth mundësive të lidhjes dhe për zhvillimin e NVM-ve, Banka gjithashtu do të intensifikojë mbështetjen për shëndetin, arsimin, mjedisin dhe zhvillimin komunal dhe do të përforcojë përfshirjen sociale përmes instrumenteve novatore të financimit dhe rritjes së asistencës teknike.
Të dhëna bazë:
Rreth BEI-së:
Banka Evropiane e Investimeve (BEI) është institucioni huadhënës afatgjatë i Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve të saj anëtare. Ajo mundëson financime afatgjata për investime të shëndosha për të kontribuar në drejtim të objektivave të politikës së BE-së. www.eib.org
Rreth BEI-së në Ballkanin Perëndimor
BEI është një nga financuesit kryesorë ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor. Që prej vitit 2008 Banka ka financuar projekte me vlerë gjithsej prej mbi 9,8 miliardë eurosh në rajon. Përveç vijimit të mbështetjes së saj për rindërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, që prej vitit 2010, BEI-ja është shtrirë në shumë fusha të reja, të tilla si kujdesi shëndetësor, kërkimi dhe zhvillimi, arsimi dhe NVM-të. Për informacion të detajuar mbi veprimtaritë e BEI-së në Ballkanin Perëndimor, klikoni faqen e mëposhtme të internetit: www.eib.org/en/publications/the-eib-in-the-western-balkans
* Ky përcaktim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve mbi statusin dhe është në përputhje me RKSKB 1244 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës