- Bordi dënon ashpër dhe njëzëri pushtimin e dhunshëm dhe të paligjshëm të Ukrainës nga Rusia
- Mbështetja financiare është pjesë e Përgjigjes Emergjente të Solidaritetit të BEI-së për Ukrainën
- Mbështetja shtesë financiare dhe teknike për Ukrainën, vendet fqinje dhe vendet e BE-së do të ndihmojë në përballimin e dëmeve të lidhura me luftën dhe fluksin e refugjatëve.
Në një takim të jashtëzakonshëm të thirrur më 4 mars për të diskutuar mbi mbështetjen urgjente të BEI-së për Ukrainën, Bordi i Drejtorëve të Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) shprehu njëzëri tmerrin dhe dënoi agresionin brutal, të paligjshëm dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës.
Bordi miratoi mbështetjen e menjëhershme financiare me vlerë 668 milionë euro për Ukrainën. Kjo paketë mbështetëse fillestare për vendin e shkatërruar nga lufta përfiton nga garancia e BE-së sipas Mandatit të Huadhënies së Jashtme dhe plotëson nismat e tjera të njoftuara nga institucionet e BE-së. Ajo do të ndihmojë autoritetet ukrainase për të përmbushur nevojat më urgjente financiare, duke përfshirë blerjen e ushqimeve, furnizimin me nevoja mjekësore dhe karburant për qytetarët e saj. Mbështetja e menjëhershme do të mundësohet brenda disa ditësh. BEI-ja do të disbursojë fondet e disponueshme në kuadër të dy kredive që janë dhënë fillimisht nga BEI-ja për të mbështetur NVM-të dhe sektorin bujqësor në Ukrainë.
Për më tepër, Bordi ra dakord që BEI-ja duhet të ndjekë nisma të mëtejshme në kuadër të Paketës së Solidaritetit emergjent për Ukrainën. Këto përfshijnë:
1. Financimin e nevojave për infrastrukturë kritike në Ukrainë, duke i përshtatur angazhimet e projekteve të infrastrukturës në përmbushje të nevojave të menjëhershme për investime dhe rindërtim. Këto përfshijnë transportin, energjinë, zhvillimin urban dhe investimet digjitale. Këto para mund të vendosen në dispozicion shumë shpejt, sapo autoritetet ukrainase të jenë në gjendje të nënshkruajnë ndryshimet në kontratat ekzistuese;
2. Ndihmë për të rindërtuar çdo gjë që ushtria ruse shkatërron, duke financuar infrastrukturën e re kritike ekonomike dhe sociale të nevojshme sapo të rithemelohet Ukraina e lirë dhe e pavarur pas luftës. Për këtë qëllim, BEI-ja do të përdorë përvojën e saj me Programin e Rimëkëmbjes së Hershme të Ukrainës që kishte mbështetur, pas agresionit rus të vitit 2014, për zbatimin e 238 projekteve të rindërtimit të infrastrukturës komunale dhe sociale, si shkolla dhe kopshte, spitale e banesa sociale.
Për më tepër, ekspertët e BEI-së aktualisht po vlerësojnë nevojat e vendeve fqinje të Ukrainës dhe atyre brenda BE-së që po mirëpresin refugjatët nga Ukraina ose që janë prekur nga lufta në mënyra të tjera. Banka e BE-së po punon me autoritetet shtetërore dhe vendore, institucionet kombëtare nxitëse dhe palët e tjera për të vënë urgjentisht ndihmën financiare dhe teknike në dispozicion të këtyre vendeve dhe rajoneve. Financimi mund të marrë formën e ricaktimit të prioriteteve të huave ekzistuese me shpejtësi, të cilat nuk janë disbursuar ende për rajonet dhe bashkitë, ose miratimin e operacioneve të reja që lidhen me refugjatët, për të cilat BEI-ja mund të financojë deri në 100% në vend të financimit maksimal të zakonshëm prej 50%.
Werner Hoyer, President i Bankës Evropiane të Investimeve, tha: “Përballë agresionit tronditës ushtarak të Rusisë, jam i prekur nga vendosmëria, guximi dhe kuraja e popullit ukrainas. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur Ukrainën dhe për të treguar konkretisht solidaritet evropian me vendin. Me mbështetjen thelbësore të Komisionit Evropian, ne kemi krijuar një paketë të rëndësishme financiare si pjesë e përgjigjes së përgjithshme të menjëhershme të BE-së. Sot, bordi ynë ka rënë dakord të vërë në dispozicion likuiditet me vlerë 668 milionë euro që është shumë i nevojshëm për të mbështetur autoritetet ukrainase. Kjo është pjesa e parë e Paketës sonë të Solidaritetit emergjent për Ukrainën. Përveç kësaj, Banka po shqyrton mënyra për të përshpejtuar dhënien e një investimi shtesë me vlerë 1.3 miliardë euro. Sapo të mundësohen kushtet, ne do të ndihmojmë në rindërtimin e asaj që pushtimi shkatërroi në Ukrainë. Ne gjithashtu do të ndërhyjmë për të ndihmuar të gjitha vendet e prekura, qoftë brenda BE-së apo në fqinjësi të saj, për të përballuar ardhjen e refugjatëve nga Ukraina dhe dëmin ekonomik të shkaktuar nga kjo luftë e tmerrshme."
Valdis Dombrovskis, Zëvendës-Presidenti Ekzekutiv i Komisionit Evropian, tha: “Kjo paketë e mirëpritur dhe thelbësore e BEI-së është demonstrimi më i fundit i solidaritetit të palëkundur të BE-së me Ukrainën, kur vendi po përballet me nevoja të mëdha. Ajo do të sigurojë likuiditet të menjëhershëm për qeverinë ukrainase ndërsa kjo lufton kundër agresionit të paligjshëm dhe mizor të Rusisë. Komisioni i BE-së nuk do të lërë gurë pa lëvizur në ofrimin e mbështetjes maksimale për Ukrainën, duke punuar me shtetet anëtare dhe institucione e organe të tjera të BE-së.”