- 40 milion euro për të mbështetur bizneset e vogla të rimëkëmben më shpejt dhe për të përforcuar zhvillimin e sektorëve kryesorë ekonomikë
- Fondet do të forcojnë Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) në zgjerimin e garancive për institucionet e financimit lokal, në mënyrë që të përforcohet kreditimi i biznesit të vogël
- Fondet janë pjesë e programit financiar të Team Europe për rimëkëmbjen socio-ekonomike të rajonit nga pandemia e COVID-19
Banka Evropiane e Investimeve (BEI) do t’i ofrojë një kredi prej 40 milionë eurosh Kosovës për të mbështetur aksesin në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NVM) që janë ndikuar nga kriza e COVID-19. Projekti do të ofrojë fonde, nëpërmjet Ministrisë së Financave të Kosovës, drejt FKGK për të lëshuar garanci kreditore për institucionet e financimit lokal dhe për të mundësuar kapitalin punues dhe investimet kapitale afatgjata për bizneset e vogla. Duke ofruar burimet shumë të nevojshme financiare që mbështesin FKGK, kjo masë do të jetë vendimtare për të nxitur rimëkëmbjen nga kriza e COVID-19, zhvillimin e sektorit privat, punësimin dhe zhvillimin ekonomik në Kosovë. Projekti është pjesë e nismës Team Europe dhe e programit financiar prej 1,7 miliardë eurosh të miratuar nga BEI në vitin 2020 për rimëkëmbjen socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor nga pandemia e COVID-19.
Fondet e BEI-t do të mundësojnë akses në financimin e menjëhershëm për bizneset e vogla me kushte të favorshme dhe njëherësh do të mbështesin rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik duke synuar sektorë të veçantë ekonomikë si prodhimi, bujqësia, shërbimet, gratë dhe sipërmarrja e TIK-ut, duke përforcuar kështu konkurrencën, zhvillimin dhe elasticitetin e ekonomisë së Kosovës.
Nënkryetarja e BEI-t përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, Lilyana Pavlova tha: "Duke iu bashkuar nismës së Team Europe, BEI synon të demonstrojë mbështetjen e saj të palëkundur për rajonin në kohët e krizës së COVID-19. Ne e dimë se pandemia ka goditur më shumë kompanitë e vogla, të cilat shpesh përballen me akses të kufizuar në financim. Këto fonde të miratuara sot do të ndihmojnë ekonominë e Kosovës jo vetëm që t’i rikthehet ritmeve të saj duke injektuar likuiditet në treg, por edhe të evoluojë e zhvillohet në të gjithë sektorët kryesorë të synuar. Këto do të kontribuojnë në elasticitetin e ekonomisë së Kosovës, duke e ndihmuar të rimëkëmbë kapacitetet e furnizimit dhe të prodhimit, të ruajë vendet e punës dhe të përforcojë konkurrencën dhe rolin e saj në tregun rajonal dhe të BE-së.”
Hekuran Murati, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, shtoi: “Është një kënaqësi e veçantë për mua që një nga marrëveshjet e para të financimit që nënshkruhet përfshin mbështetjen ndaj sektorit privat. Si një qeveri që mori detyrën në mes të pandemisë COVID-19, fokusi ynë kryesor mbetet mbështetja e sektorit privat për një rimëkëmbje të qëndrueshme. Kjo linjë garancie me Fondin Kosovar për Garantim të Kredive do të jetë thelbësore për të ndihmuar ekonominë drejt rimëkëmbjes, duke lehtësuar qasjen në financa për NVM-të si dhe gjithashtu duke i ndihmuar ato të adoptojnë praktikat dhe standardet më të mira mjedisore dhe sociale.
Si Ministri, ne presim një zbatim të suksesshëm të këtij projekti dhe iniciativave të tjera të financuara së bashku me Bankën Evropiane për Investime.”
Besnik Berisha, Drejtori Menaxhues i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, tha:” Ne në FKGK jemi shumë entuziastë që jemi të pranishëm në këtë ceremoni nënshkrimi të marrëveshjes midis BEI dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje vjen në momentin e duhur kur ekonomia e Kosovës po kalon periudhën e rimëkëmbjes dhe masat e tilla të drejtpërdrejta, që synojnë rritjen e investimeve private, pra ringjalljen e aktivitetit ekonomik, janë më së shumti të nevojshme. Segmenti i NVM-ve, i cili është shtylla e ekonomisë në vendin tonë, si kudo tjetër, u godit më shumë nga ndikimi negativ i krizës pandemike. Përveç që vuajnë nga zvogëlimi i qarkullimit të tyre, shumë prej tyre ende kanë vështirësi në përshtatjen e proceseve dhe shërbimeve të tyre të brendshme me rrethanat e reja. Me këtë program, i cili do të zbatohet nga FKGK, me siguri që ne nuk do t'i zgjidhim të gjitha problemet për ndërmarrjet private, por ne do të përpiqemi të adresojmë në mënyrën më profesionale dhe adekuate, një nga shqetësimet kryesore të këtij segmenti, që është qasja më e lehtë në financim. Kjo kontratë parasheh 40 milion euro kapital shtesë për FKGK, megjithatë për shkak të natyrës së përhershme të Fondit dhe efektit shumëzues që kanë skemat e garantimit të kredisë, ndikimi në ekonominë reale, gjatë dy viteve të para, do të jetë sa 120 mil euro, ndërsa të njëjtat fonde do të vazhdojnë të përdoren, pra të mbështesin shumë më shumë investime, përtej periudhës së vlefshmërisë.
Riccardo Serri, nënkryetari i zyrës së BE-së në Kosovë deklaroi: "Nëpërmjet paketave të ndryshme të rimëkëmbjes dhe masave të ndihmës, BE-ja vazhdon të ofrojë mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të cilat po përballen me shumë [raste] të paprecedenta të shkaktuara nga pandemia e Covid-19. Ky investim shtesë prej 40 milionë eurosh, do të mundësojë likuiditet shtesë dhe mbështetje strukturore për kompanitë private. Kjo marrëveshje sot tregon një shembull konkret se si partneritetet e Team Europe mund të sjellin rezultat në rimëkëmbjen pas pandemisë. Ne shpresojmë që nënshkrimi i tanishëm të nxisë më shumë aktivitete biznesi, që me radhën e vet do të gjenerojnë punësim dhe zhvillim, duke e kthyer Kosovën në rrugën e qëndrueshme të zhvillimit ekonomik".
* Ky përcaktim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve mbi statusin dhe është në përputhje me UNSCR 1244/1999 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës
Të dhëna bazë
Rreth BEI-t në Kosovë:
Banka e Be-së ka qenë aktive në territorin e Kosovës që nga viti 1977 dhe, që nga viti 2007, ka ofruar 240 milionë euro kredi për vendin, kryesisht në mbështetje të transportit, infrastrukturës së telekomunikacionit dhe sektorit privat. Për më shumë informacion në lidhje me projektet e BEI-t në Kosovë, ju lutemi, referojuni:
https://www.eib.org/en/projects/regions/enlargement/the-western-balkans/kosovo/index.htm
Rreth BEI-t në Ballkan:
BEI është një nga financuesit kryesorë ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor. Që prej vitit 2009, Banka ka financuar projekte me vlerë gjithsej prej mbi 8 miliardë eurosh në rajon.
Për informacion të detajuar mbi aktivitetet e BEI-t në Ballkanin Perëndimor, vizitoni faqen e mëposhtme të internetit: www.eib.org/en/publications/the-ib-in-the -western-balkans
Për Team Europe dhe përgjigjen ndaj COVID-19 në Ballkanin Perëndimor:
Si pjesë e strategjisë #TeamEurope, përgjigjja globale e BE-së ndaj COVID-19, Grupi BEI ka mobilizuar me shpejtësi 5,2 miliardë euro jashtë BE-së, duke përshpejtuar financimin dhe asistencën e fokusuar teknike. Veçanërisht për vendet e Ballkanit Perëndimor, BEI ka përgatitur një paketë të menjëhershme mbështetjeje prej 1,7 miliardë eurosh, kryesisht për NVM-të dhe sektorët shëndetësorë (https://www.eib.org/en/press/all/2020-111-eib-group-to-contribute-eur1-7-billion-to-the-eu-s-covid-19-response-package-for-the-western-balkans). Paketa e përgjithshme e mbështetjes financiare të BE-së për Ballkanin Perëndimor arrin në mbi 3,3 miliardë euro.