>@EIB
  • Grupet bankare ndërkombëtare ruajnë angazhimin dhe ekspozimin e fortë ndaj Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, ku 73% e ruajtën dhe 18% e rritën nivelin e tyre të ekspozimit në gjashtë muajt e fundit.
  • Pavarësisht luftës në Ukrainë, grupet bankare që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Ballkanin Perëndimor mbeten optimistë për rajonin, ku rreth 45% e tyre planifikojnë të zgjerojnë në mënyrë selektive operacionet e tyre ose të mbajnë të njëjtin nivel operacionesh në shtrirje afatgjatë.
  • Kërkesa për kredi nga klientët e bankave ka mbetur e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor, e nxitur nga nevojat e korporatave për likuiditet. Por kushtet e ofertës së kredisë janë përkeqësuar dhe pritet të mbeten të dobëta, veçanërisht për shkak të shqetësimeve për cilësinë e kredisë në të ardhmen, perspektivën e tregut vendor dhe inflacionin e lartë.

Grupet bankare ndërkombëtare që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) kanë treguar qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj rajonit, sipas Anketës së Kreditimit të Bankës së EQLJ-së, të kryer nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) në pranverën e vitit 2023 gjatë krizës së Silicon Valley Bank dhe Credit Suisse. Anketa zbuloi se një shumicë e konsiderueshme (73%) e bankave mëmë në EQLJ ruajtën ekspozimin e tyre, ndërsa 18% e rritën praninë e tyre në gjashtë muajt e fundit. Lidhur me strategjitë afatgjata, grupet bankare ndërkufitare po sinjalizojnë synimin e tyre ose për të ruajtur të njëjtin nivel veprimesh (45%) ose për ta zgjeruar atë në mënyrë selektive (45%) në rajon.

Sipas shefes së Departamentit të Ekonomisë në BEI, Debora Revoltella, "Anketa e huadhënies bankare për rajonin e EQLJ konfirmon angazhimin e vazhdueshëm të grupeve bankare ndërkombëtare ndaj rajonit të EQLJ-së, si dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur stabilitetin. Në kontekstin aktual makroekonomik, megjithatë, vihet re një shtrëngim i mëtejshëm i kushteve të financimit në anën e ofertës, në të gjitha segmentet e biznesit dhe në shumicën e vendeve, dhe kjo do të mbetet në fuqi edhe gjatë muajve të ardhshëm.”

Për sa i përket Ballkanit Perëndimor[1], vetëm pak banka planifikojnë të ulin në mënyrë selektive ekspozimin ndaj rajonit, ndërsa mbi 40% e tyre planifikojnë të ruajnë nivelin aktual të veprimeve në terma afatgjatë dhe pothuajse 45% synojnë ta zgjerojnë praninë e tyre në mënyrë selektive. Megjithatë, bankat parashikojnë rritje të kredive me probleme, duke ndikuar veçanërisht në sektorin e tregtisë me pakicë dhe atë të korporatave, duke pasur parasysh ngadalësimin e rritjes, inflacionin e lartë dhe normat në rritje të interesit. Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, ata presin që të ruhet mjedisi aktual dashamirës i financimit në vend dhe madje të përmirësohet, i nxitur sërish nga depozitat e individëve dhe të korporatave, pavarësisht uljes së pritshme të financimit të bankës qendrore.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor po tregon edhe një herë potencialin e tij të tregut, elasticitetin dhe gatishmërinë për të kapërcyer kufizimet aktuale gjeopolitike. Angazhimi i grupeve bankare në mbështetjen e rritjes ekonomike duhet të ruhet dhe Grupi i BEI-t do të vazhdojë të sigurojë financimin e nevojshëm për rajonin për t'iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme nevojave të ardhshme”, tha Lilyana Pavlova, zëvendëspresidente e BEI-t.

Rritja e kreditimit në Ballkanin Perëndimor është ngadalësuar ndjeshëm që nga fillimi i vitit 2022, ndërkohë që cilësia e kredisë ka mbetur solide, njëlloj si dhe qasja në financim, e favorizuar nga fluksi i qëndrueshëm i depozitave si nga korporatat ashtu edhe nga individët. Kërkesa për kredi (e cila tregon gatishmërinë e klientëve për të marrë hua nga bankat) në Ballkanin Perëndimor nuk ka shfaqur shenja ngadalësimi gjatë muajve të fundit (në kundërshtim me fazat e mëparshme të ngadalësimit ekonomik) dhe pritet të mbetet e fortë kryesisht për korporatat (korporatat e mëdha dhe NVM) sesa për shitjet me pakicë (kredi konsumatore dhe blerje banese). Megjithatë, përbërja e tij ka ndryshuar, ku kapitali qarkullues (që reflekton nevojat për likuiditet të firmave) tani është shtytësi kryesor, ndërsa investimet fikse dhe segmentet e shitjes me pakicë pritet të kontribuojnë negativisht. Në veçanti, kërkesa për kredi për konsum dhe kredi hipotekare ka qenë e dobët dhe pritet të mbetet e zbutur.

Përkundrazi, oferta për kredi (duke treguar gatishmërinë e bankave për të dhënë kredi) ka ardhur duke u përkeqësuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit dhe pritet të mbetet e dobët. Të gjitha segmentet e biznesit janë prekur nga shtrëngimi i kushteve të kreditimit, ku si segmenti më i prekur paraqiten NVM-të. Megjithatë, dobësimi i kushteve të ofertës pritet të vijojë edhe gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, pavarësisht se do të jetë paksa më e fortë, por segmenti i hipotekave mund të përfitojë shumë.

Gjeni më shumë informacion këtu.

Të dhëna bazë

Rreth Anketës së Huadhënies Bankare të EQLJ 

Anketa u krye në mars 2023 dhe mblodhi të dhëna mbi strategjitë dhe angazhimet e grupeve bankare ndërkombëtare ndaj Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Ajo mbledh informacion mbi standardet e kredive, kushtet e kredive, si dhe faktorë të ndryshëm vendas dhe ndërkombëtarë që mund të jenë përgjegjës për ndryshimet në huadhënie. Është hetuar edhe kërkesa për hua. Anketa përfshin pyetje specifike për cilësinë e kredisë dhe kushtet e financimit për bankat. Ajo është projektuar për ngritjen e një paneli vrojtimesh që mund të ofrojnë një vlerësim thuajse në kohë reale të shëndetit të sektorit bankar në rajonin e EQLJ-së. Anketa zhvillohet dhe menaxhohet nga departamenti i ekonomisë i BEI-së dhe është pjesë e një serie raportesh të krijuara së bashku me BERZH-in, FMN-në dhe Bankën Botërore për Iniciativën e Vjenës

Rreth BEI dhe BEI Globale

BEI është institucioni financues afatgjatë i Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ajo vë në dispozicion financime afatgjata për investime të shëndosha në mënyrë që të kontribuojë drejt qëllimeve të politikës së BE-së. BEI mbështet projekte në katër fusha prioritare - infrastrukturë, inovacion, klimë dhe mjedis, dhe ndërmarrje të vogla e të mesme (NVM-të). BEI Globale është krahu i specializuar i grupit të BEI-t, i zoyuar për rritjen e ndikimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe financave të zhvillimit, si dhe një partner kyç i Global Gateway. Ne synojmë të mbështesim investime me vlerë 100 miliardë euro deri në fund të vitit 2027, rreth një e treta e objektivit të përgjithshëm të kësaj nisme të BE-së. Brenda “Team Europe”, BEI Globale nxit partneritete të forta dhe të fokusuara së bashku me institucionet e tjera financiare të zhvillimit dhe shoqërinë civile. BEI Globale e afron Grupin e BEI-t më pranë njerëzve, kompanive dhe institucioneve vendase përmes zyrave tona në mbarë botën.

Rreth BEI-t në Ballkanin Perëndimor

BEI është një nga financuesit kryesorë ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor. Që prej vitit 2009, banka ka financuar projkete në rajon me vlerë gjithsej 10,3 miliardë euro.

Për informacion të detajuar mbi aktivitetet e BEI-t në Ballkanin Perëndimor, vizitoni: www.eib.org/en/publications/the-ib-in-the -western-balkans


[1] Ballkani Perëndimor përbëhet nga: Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, *Kosova, Maqedonia e veriut dhe Serbia

* Ky përcaktim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve mbi statusin dhe është në përputhje me UNSCR 1244/1999 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës