- Me një grant për asistencë teknike me vlerë 1 milion euro, BEI Globale do të ndihmojë në zbatimin e një projekti strategjik për ujin, për t'u ardhur në ndihmë 800 000 njerëzve
- Fondet do të ndihmojnë qytetin të përmirësojë aksesin në shërbime të besueshme dhe të qëndrueshme për ujë të pastër, duke rritur kapacitetet e zbatimit të projektit
- Që nga viti 2021, banka e BE-së ka ofruar më shumë se 6 milionë euro në grante për asistencë teknike nga burimet e veta, për t’i ardhur në ndihmë popullit shqiptar.
BEI Globale, krahu i Bankës Evropiane të Investimeve për aktivitete jashtë Bashkimit Evropian, do të ofrojë një grant për asistencë teknike me vlerë 1 milion euro për të ndihmuar bashkinë e Tiranës të përmirësojë rrjetin e saj të shpërndarjes së ujit dhe të sigurojë furnizim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm me ujë. Mbështetja në formë konsulence do të mundësojë shtrirjen e suksesshme të projektit që synon përmirësimin e sistemit të shpërndarjes së ujit në bashkinë e Tiranës, duke forcuar njëkohësisht kapacitetet zbatuese të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë (UKT). Pas përfundimit, investimi do të ndihmojë në përmirësimin e aksesit në furnizimin me ujë për mbi 800 000 njerëz, reduktimin e humbjeve të ujit dhe modernizimin e sistemit të qytetit për menaxhimin e ujit.
Zëvendëspresidenti i BEI, Kyriacos Kakouris, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, tha: “Me pothuajse 30% të të gjithë popullsisë shqiptare që jeton në Tiranë, BEI Globale njeh nevojën për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit mes sfidave në rritje për popullsinë, infrastrukturën dhe klimën. Ky grant do të shërbejë si një mjet i rëndësishëm për zbatimin me më shumë efikasitet të projektit, i cili do të sjellë shërbime moderne, të vazhdueshme dhe të besueshme dhe furnizim me ujë në Tiranë. Ne po rrisim me shpejtësi mbështetjen tonë në formë konsulence për Ballkanin Perëndimor për të sjellë më shumë burime, ekspertizë dhe projekte në terren në përputhje me standardet e BE-së, për të garantuar rritjen ekonomike, tranzicionin e gjelbër dhe të ardhmen e qëndrueshme për qytetarët e tij”.
Marrëveshja e grantit është nënshkruar në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë, në prani të nënkryetares së bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani dhe Zyrtarit Global të Kredive të BEI për Shqipërinë, Konstantinos Mastrogiannopoulos. Ai plotëson kredinë e BEI të nënshkruar me bashkinë e Tiranës në vitin 2021.
Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha: "Jemi të lumtur për këtë bashkëpunim të ri me Bankën Europiane të Investimeve, i cili kam bindjen se, ashtu si me projektet e hershme mes nesh, do të jetë po aq i frytshëm për qytetarët e Tiranës. Projekti që nënshkruajmë sot është i një rëndësie të veçantë për Tiranën sepse synon përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së ujit, ndërtimin e tubacioneve të reja, dhe furnizim të sigurt dhe të vazhdueshëm me ujë për rreth 800.000 banorë, në përputhje me standardet e përcaktuara në Direktivën e Ujit të Pijshëm 98/83/EC."
Që nga viti 2021, banka e BE-së ka dhënë më shumë se 6 milionë euro në grante për asistencë teknike për Shqipërinë. Me këto fonde, banka po mbështet edhe bashkinë e Tiranës në rizhvillimin urban të zonës buzë lumit Lana, duke përfshirë riorganizimin e rrugëve dhe infrastrukturës përkatëse. Gjithashtu, ajo po ofron asistencë teknike për zhvillimin e një programi investimi në zonën afër kufijve me Malin e Zi përgjatë liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna, në rrugën hyrëse kryesore të Alpeve Shqiptare. Së fundmi, Banka po mbështet sektorin hekurudhor shqiptar duke ofruar një grant për asistencë teknike për përgatitjen e projektimit paraprak të një sektori hekurudhor si pjesë e Korridorit VIII.
Të dhëna bazë:
Rreth BEI dhe BEI Globale
BEI është institucioni financues afatgjatë i Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ai vë në dispozicion financime afatgjata për investime të shëndosha në mënyrë që të kontribuojë drejt qëllimeve të politikës së BE-së. BEI mbështet projekte në katër fusha prioritare: infrastrukturë, inovacion, klimë dhe mjedis, dhe ndërmarrje të vogla e të mesme (NVM). BEI Globale është krahu i specializuar i Grupit të BEI, i dedikuar për rritjen e ndikimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe financave të zhvillimit, si dhe një partner kyç i Global Gateway. Ne synojmë të mbështesim investime me vlerë 100 miliardë euro deri në fund të vitit 2027— rreth një të tretën e objektivit të përgjithshëm të kësaj nisme të BE-së. Brenda “Team Europe” BEI Globale nxit partneritete të forta dhe të fokusuara së bashku me institucionet e tjera financiare të zhvillimit dhe shoqërinë civile. BEI Globale e afron Grupin e BEI më pranë njerëzve, kompanive dhe institucioneve vendase përmes zyrave tona në mbarë botën.
Rreth BEI Globale në Ballkanin Perëndimor:
BEI është një financues kryesor ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor. Që nga viti 2009, Banka ka financuar projekte që arrijnë në afro 11 miliardë euro në rajon. Përveç vazhdimit të mbështetjes për rindërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, BEI është zgjeruar që nga viti 2010 në shumë fusha të reja, si kujdesi shëndetësor, kërkim-zhvillimi, arsimi dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Për informacion të detajuar mbi aktivitetet e BEI në Ballkanin Perëndimor, vizitoni: http://www.eib.org/publications/the-eib-in-the-western-balkans.
Rreth BEI në Shqipëri:
BEI ka qenë aktive në Shqipëri që prej vitit 1995. Deri më sot, janë financuar 26 projekte dhe janë investuar mbi 600 milionë euro kryesisht në mbështetjen e infrastrukturës kyçe të transportit, energjisë dhe ujësjellës-kanalizimeve. Për më shumë informacion në lidhje me projektet e BEI në Shqipëria, shihni: Albania and the EIB