>@EIB
  • Në kuadër të programit për gjelbërimin e sistemeve financiare, BEI Globale do të ofrojë mbështetje këshilluese për Bankën Kombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe sektorin financiar.
  • Asistenca teknike do të rrisë kapacitetet për të vlerësuar, integruar dhe shpalosur rreziqet që lidhen me klimën.
  • Shërbimet këshilluese synojnë të kontribuojnë në tranzicionin e gjelbër të Maqedonisë së Veriut dhe dekarbonizimin e ekonomisë së saj.

BEI Globale, krahu i zhvillimit të Bankës Evropiane të Investimeve për aktivitete jashtë Bashkimit Evropian, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Kombëtare të Maqedonisë së Veriut në kuadër të programit për gjelbërimin e sistemeve financiare (GFS). Marrëveshja do të mundësojë ofrimin e shërbimeve këshilluese për Bankën Popullore me qëllim përmirësimin e praktikave të saj rregullatore dhe mbikëqyrëse të menaxhimit të rrezikut klimatik, si dhe të kapaciteteve raportuese të sektorit financiar në vend. Këto aktivitete do të ndihmojnë bankat lokale të kuptojnë ekspozimin ndaj rreziqeve klimatike të kompanive në Maqedoninë e Veriut dhe të mbështesin praktikat e tyre të qëndrueshmërisë.

Programi GFS synon të mbështesë kalimin në sisteme financiare me neto zero dhe rezistente ndaj klimës, të favorshme për zhbllokimin e masave për klimën dhe nxitjen e investimeve të gjelbra te bizneset e vogla. Ai financohet nga qeveria gjermane nëpërmjet fondit ndërkombëtar të nismës për klimën të BEI-t dhe zbatohet në bashkëpunim me Partneritetin NDC, një koalicion global i vendeve dhe institucioneve që bashkëpunojnë për të nxitur masat për klimën. Si anëtare që prej vitit 2022, Maqedonia e Veriut është zotuar të reduktojë 82% të emetimeve të GHG deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 1990.

Zëvendëspresidenti i BEI, Kyriacos Kakouris, i cili është përgjegjës për operacionet në Maqedoninë e Veriut, tha: “Si pjesë e Team Europe, ne kemi kënaqësinë të jemi një kontribues aktiv në objektivat e tranzicionit të gjelbër dhe të qëndrueshmërisë së Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja me Bankën Kombëtare bazohet në bashkëpunimin e shkëlqyer në vitet e fundit. Ajo plotëson aktivitetet e tjera tona në Maqedoninë e Veriut, siç është linja "e gjelbër" e kreditimit, e nënshkruar në vitin 2023 me Bankën për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut (DBNM), si dhe projektet për transport të qëndrueshëm, efikasitetin e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit sipas planit ekonomik dhe të investimeve. Këto aktivitete kanë rëndësi të madhe për Maqedoninë e Veriut, e cila synon të bëhet pjesë e familjes së BE-së dhe i përafron aktivitetet e saj me agjendën e gjelbër dhe Marrëveshjen e Parisit.”

Guvernatorja e Bankës Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, Anita Angelovska-Bežoska, theksoi se që prej vitit 2020, Banka Kombëtare ka ndërmarrë masa dhe aktivitete për të nxitur financimin e transformimit të gjelbër të ekonomisë sonë.

“Masat dhe aktivitetet e ndërmarra deri më tani nga Banka Kombëtare për nxitjen e financimit të gjelbër, si dhe hapat e ardhshëm, janë përfshirë në planin e parë afatmesëm të veprimit për ndryshimet klimatike të Bankës Kombëtare.. Së fundmi, Banka Kombëtare ka miratuar udhëzimet për menaxhimin e rreziqeve të lidhura me klimën për bankat, me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit bankar ndaj rreziqeve klimatike. Analizat fillestare të vlerësimit të ekspozimit të sistemit bankar ndaj rreziqeve fizike dhe të klimës gjatë tranzicionit, të cilat mbështeten në të dhënat përkatëse të disponueshme, janë veçanërisht të rëndësishme dhe pritet të shtohen në periudhën në vijim, së bashku me përgatitjen e një shqyrtimi të treguesve të gjelbër të rritjes”, tha Angelovska Bezhoska.

Programi GFS do të plotësojë asistencën teknike që BEI po i ofron DBNM-së dhe bankave tregtare për të mbështetur zbatimin e linjës së kreditimit të gjelbër prej 100 milionë eurosh të BEI-t për kompanitë maqedonase. Ky program mbështetës i veprimit për klimën, i nisur së fundmi, synon të ndërtojë kapacitetet e sektorit financiar dhe të NVM-ve në fushën e financave të gjelbra. Ky kombinim i mbështetjes financiare dhe teknike të BEI Globale ka për qëllim të kontribuojë në dekarbonizimin e sektorit privat, duke përmirësuar aksesin në financa për projektet e efikasitetit të energjisë dhe energjisë së rinovueshme të NVM-ve.

Ambasadorja gjermane në Maqedoninë e Veriut, Petra Drexler, tha: “Ka tri tipare që janë veçanërisht të përshtatshme për të karakterizuar marrëdhëniet e sotme gjermano-maqedonase: tepër evropiane, ekonomikisht të qëndrueshme dhe të orientuara nga klima. “Programi për gjelbërimin e sistemeve financiare” e ilustron këtë në një mënyrë të mrekullueshme. Sektori financiar luan një rol vendimtar për të na sjellë më pranë një ekonomie globale të qëndrueshme, rezistente dhe që ruan burimet. Pa investime në qëndrueshmërinë për klimën, nuk mund të ketë ekonomi të qëndrueshme në të ardhmen. Prandaj, masat për klimën janë një shtyllë themelore e politikës së jashtme gjermane. I jam mirënjohëse Bankës Evropiane për Investime dhe Bankës Kombëtare të Maqedonisë së Veriut që janë partnerët tanë në këtë”.

Shefi i delegacionit në Maqedoninë e Veriut, ambasadori, shkëlqesia e tij, David Geer u shpreh: “Institucionet financiare dhe rregullatorët mund të luajnë një rol të rëndësishëm në masat për të luftuar ndryshimet klimatike. Duke ofruar asistencë teknike të përshtatur për Bankën Kombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe bankat tregtare lokale, ky program do të ndihmojë në zhvillimin e kreditimit të gjelbër dhe investimeve efikase në Maqedoninë e Veriut, duke kontribuar kështu në qëllimet klimatike të vendit.”

BEI Globale do të kontribuojë gjithashtu në deklaratën për platformën e investimeve të tranzicionit të drejtë për Maqedoninë e Veriut, me qëllim që të sigurojë vendosjen në punë të kapacitetit të ri prej 1,7 GW të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030. Për më tepër, Maqedonia e Veriut do të jetë një nga vendet pilot ku BEI do të zbatojë qasjen e re të tranzicionit të drejtë, duke synuar rritjen e financimit dhe shërbimeve këshilluese në mbështetje të dekarbonizimit në nivel global.