• Kërkesa për kredi është rritur dhe aksesi në kredi është lehtësuar në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore - por përmirësimet janë kryesisht për familjet dhe jo për bizneset
  • Raportet e kredive me probleme janë përmirësuar gjatë gjashtëmujorit të fundit, por përmirësimi nuk pritet të vazhdojë gjatë gjashtëmujorit të ardhshëm, duke sinjalizuar njëfarë pasigurie përpara

Sot, Banka Evropiane e Investimeve (BEI) publikoi botimin e vjeshtës 2021 të anketës së saj të huadhënies bankare për EQLJ-në. Raporti shqyrton strategjitë e bankave ndërkombëtare aktive në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ) dhe kushtet e tregut siç vlerësohen nga bankat që veprojnë atje. Raporti ofron një analizë rajonale dhe krahasim shtet pas shteti.

Botimi i anketës i vjeshtës 2021 tregon një pikëpamje pozitive për sistemet bankare në rajonin e EQLJ-së, megjithëse me zona të mbetura pasigurie dhe disa rreziqe aspektesh negative. Përkundër efekteve të fuqishme të pandemisë, kërkesa për kredi është rimëkëmbur dhe kushtet e ofertës për financim kanë filluar të lehtësohen gradualisht. Kërkesa për kredi është e fortë te familjet dhe po ringjall gjithashtu segmentin e investimeve fikse të firmave. Kushtet e ofertës për kredi po lehtësohen, por kryesisht për familjet dhe jo bizneset, me kushte ende të shtrënguara veçanërisht për kompanitë e vogla.

"Anketa tregon se mbështetja ndërkombëtare dhe kombëtare ishte çelësi në mbajtjen e aktiviteteve të grupeve bankare në rajonin e EQLJ-së pas ndalimit fillestar të fortë dhe të beftë të shkaktuar nga shoku pas COVID-19 në vitin 2020," - tha kryeekonomistja e BEI-së, Debora Revoltella. "Ruajtja e këtij angazhimi të fortë publik është tani vendimtare për lehtësimin e aksesit në financa për kompanitë dhe për lehtësimin e investimeve në tranzicionin e gjelbër dhe digjital. Bankat në rajon kanë një partner të fortë te grupi i BEI-së ku mund të mbështeten për përkrahjen e financimit për ekonomitë lokale."

"40% e grupeve bankare që veprojnë në rajonin e EQLJ-së synojnë të zgjerojnë aktivitetet e tyre. Ky është lajm i mirë pas situatës së trazuar të shkaktuar nga COVID-19 në vitin 2020," - shtoi Luca Gattini, kreu i njësisë së skenarit makroekonomik. "Por mbeten disa pasiguri dhe rreziqe aspektesh negative. Aksesi në financimin bankar nuk po lehtësohet ende për firmat. Gjithashtu, grupet bankare presin që zhvillimet pozitive në kreditë me probleme të ndalojnë. Masat rregullatore dhe të politikave do të duhet të vazhdojnë së dëshmuari mbështetjen, sidomos për të përshpejtuar investimet shumë të nevojshme në masat për klimën dhe digjitalizimin".

Anketa e huadhënies bankare në EQLJ është pjesë e raportimit dhe e monitorimit të kryer rregullisht nga BEI, FMN-ja, BERZH-i dhe Banka Botërore për "Iniciativën e Vjenës", një kuadër për ruajtjen e stabilitetit financiar të Evropës në zhvillim.

Angazhimi i grupeve bankare dhe perspektiva për rajonin

Ekspozimi i grupeve bankare ndaj rajonit u rrit gjatë gjashtëmujorit të fundit si pjesë e një angazhimi strategjik për të ruajtur ose edhe rritur aktivitetet. Për më tepër, ata raportuan se aktivitetet e tyre në EQLJ ishin fitimprurëse përsëri pas një rënieje të përkohshme në vitin 2020.

Grupet bankare ndërkufitare sinjalizojnë synime pozitive strategjike për aktivitetet e tyre rajonale, duke treguar mbështetje të plotë për filialet e tyre dhe ekspozimin në vitin 2021. Rreth 60% e grupeve bankare të anketuara synojnë t'i ruajnë aktivitetet e tyre në EQLJ, ndërsa 40% synojnë t'i zgjerojnë.

Oferta dhe kërkesa për kredi në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore

Kushtet e ofertës për kredi nga segmenti i tregut në vitin 2021

>@EIB

Burimi: BEI - Anketa e huadhënies bankare në EQLJ, vjeshtë 2021

Filialet e EQLJ dhe bankat lokale raportojnë një rritje të fuqishme të kërkesës për kredi. Pas tkurrjes së fortë në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit 2020, kërkesa është rritur, kryesisht e mbështetur nga kërkesat e kapitalit punues, së bashku me një pikëpamje pozitive për tregun e shtëpive, besimin e konsumatorit dhe shpenzimet e konsumatorëve. Në veçanti, mbështetja për kërkesën e ofruar nga kreditë e investimeve u bë përsëri pozitive pas tkurrjeve të forta në vitin 2020 dhe në fillim të vitit 2021. Ky kthim sinjalizon një përmirësim në kushtet reale ekonomike për kompanitë.

Kushtet e huadhënies janë lehtësuar gjatë gjashtëmujorit të fundit pas shtrëngimit në vitin 2020 dhe në fillimet e vitit 2021. Megjithatë, ndërsa kushtet e kredive u lehtësuan për familjet, kjo nuk ndodhi për kompanitë, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Shëndeti i portofolave ​​të kredive bankare

Cilësia e kredisë filloi të përmirësohet përsëri pas një përkeqësimi të lehtë në vitin 2020. Sidoqoftë, kthimi nuk pritet të vazhdojë gjatë gjashtëmujorit të ardhshëm, me grupet bankare që sinjalizojnë rritje të pasigurisë.

Raportet e kredive me probleme në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore

Shifrat negative tregojnë një raport në rritje të kredive me probleme

>@EIB

Burimi: BEI - Anketa e huadhënies bankare në EQLJ, vjeshtë 2021

Mbështetja në kuadër të politikës për COVID-19 ishte vendimtare në ruajtjen e aktiviteteve të bankave në rajon

Bankat që veprojnë në rajon raportuan se masat rregullatore dhe të politikave për të mbështetur huadhënien kanë luajtur një rol të rëndësishëm pozitiv. Në veçanti, bankat që përfituan nga skemat e garancisë publike tregojnë se këto programe kanë qenë shumë efikase në mbështetjen e zgjerimeve të kredive - një gjetje e përsëritur gjatë tre valëve të fundit të anketës. Bankat që përfitojnë nga veprimet e rifinancimit të bankës qendrore vlerësojnë se këto mjete kanë mbështetur kushtet e kredive.

Të dhëna bazë

Banka Evropiane e Investimeve (BEI) është institucioni huadhënës afatgjatë i Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve të saj anëtare. Ai vë në dispozicion financime afatgjata për investime të shëndosha në mënyrë që të kontribuojë drejt qëllimeve të politikës së BE-së. BEI gjithashtu mbështet investime jashtë BE-së.

Rreth departamentit të ekonomisë së BEI-së

Departamenti i ekonomisë i BEI-së ofron kërkime dhe studime ekonomike, si dhe analiza unike të aktiviteteve të investimeve në Bashkimin Evropian dhe më gjerë. Ai mbështet Bankën në aktivitetet e saj dhe në përkufizimin e pozicionimit, strategjisë dhe politikës së saj. Kryeekonomistja, Debora Revoltella, drejton departamentin, një ekip prej 40 ekonomistësh.

Rreth anketës së huadhënies bankare në EQLJ nga BEI

Anketa e huadhënies bankare në EQLJ nga BEI është një anketë unike e kryer çdo gjashtë muaj, ku pyeten rreth 80 banka vendore, grupe bankare dhe institucione financiare në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Ajo mbledh informacion mbi standardet e kredive, kushtet e kredive, si dhe përqindjet e miratimeve, si edhe faktorë të ndryshëm vendas dhe ndërkombëtarë që mund të jenë përgjegjës për ndryshimet në huadhënie. Kërkesa për kredi shqyrtohet gjithashtu, me një analizë të aplikimeve për kredit dhe cilësisë së tyre. Anketa përfshin pyetje specifike për cilësinë e kredisë dhe kushtet e financimit për bankat. Ajo është projektuar për ngritjen e një paneli vrojtimesh që mund të ofrojnë një vlerësim thuajse në kohë reale të shëndetit të sektorit bankar në rajonin e EQLJ-së. Anketa zhvillohet dhe menaxhohet nga departamenti i ekonomisë i BEI-së dhe është pjesë e një serie raportesh të krijuara së bashku me BERZH-in, FMN-në dhe Bankën Botërore për Iniciativën e Vjenës (http://vienna-initiative.com)

Për më shumë informacion, shihni: https://www.eib.org/en/about/economic-research/surveys.htm