>@EIB
  • Institucionet ranë dakord për alokimin e buxhetit më të madh deri më sot për shërbimet këshillimore të BEI-t në rajon në kuadër të programit Jaspers, që arrin vlerën 20 milionë euro
  • Me shtimin e këtyre shërbimeve, Banka synon të mbështesë procesin e zgjerimit përmes përgatitjes së projekteve dhe strategjive të qëndrueshme
  • Që nga viti 2005, mbështetja këshillimore në kuadër të programit JASPERS mobilizoi mbi 317 miliardë euro investime për qindra projekte të reja në 27 vende.

Falë marrëveshjes së njoftuar nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Komisioni Evropiantakimin e palëve të interesuara  të Jaspers, të organizuar në Bruksel, Banka do të jetë në gjendje të trefishojë ndihmën e saj këshillimore për Ballkanin Perëndimor dhe mundësisht edhe Turqinë. Mbështetja do të ofrohet në kuadër të programit të përbashkët të institucioneve JASPERS, duke e çuar buxhetin në vlerën më të madhe deri më sot prej 20 milionë euro për asistencë teknike dhe rritjen e kapaciteteve të ekspertëve , gjatë gjashtë viteve të ardhshme.

“Kjo marrëveshje e re angazhon burime në nivel rekord për të mbështetur procesin e zgjerimit të BE-së, duke ndihmuar vendet të përgatisin strategji, plane dhe investime jetike, duke rritur kapacitetet e tyre për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve. Kjo mbështetje e shtuar këshillimore e BEI-t do t'u lejojë partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor të zbatojnë në mënyrë efikase më shumë projekte në kuadër të planit ekonomik dhe investimeve të BE-së, duke ndjekur prioritetet e politikës së BEI-t”, deklaroi zëvendëspresidentja e BEI-t, Teresa Czerwińska. “Në kudër të krahut tonë të përkushtuar për aktivitete jashtë BE-së - BEI Globale, përmes shërbimeve këshillimore të BEI-t dhe Komisionit Evropian, ne jemi të vendosur të sigurojmë një të ardhme të qëndrueshme për njerëzit në vendet fqinje të BE-së, t'i ndihmojmë ata të përparojnë me reformat, rritjen ekonomike dhe masat për klimën”, shtoi ajo.

Që nga viti 2005, programi këshillimor i BEI-t, JASPERS, është zbatuar në 27 vende dhe ka mbështetur përgatitjen e qindra projekteve me vlerë mbi 317 miliardë euro në fushat e transportit të qëndrueshëm, mbrojtjes së mjedisit, novacionit, kujdesit shëndetësor dhe tranzicionit të gjelbër brenda dhe jashtë BE-së.

Mathieu Bousquet, drejtor i komanduar në Drejtorinë e Përgjithshme për Negociatat e Fqinjësisë dhe të Zgjerimit (DG NEAR), Komisioni Evropian, tha: “Ne jemi shumë të kënaqur për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re kontributi me BEI-n për vazhdimin e mbështetjes këshillimore JASPER në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi. Nëpërmjet JASPERS, ne vazhdojmë të mbështesim përfituesit e IPA në rrugën e tyre drejt BE-së përmes përgatitjes dhe zbatimit të projekteve infrastrukturore që janë teknikisht të shëndosha, të qëndrueshme për mjedisin, si dhe ekonomikisht e financiarisht të qëndrueshme. Vlen të theksohet se JASPERS gjithashtu këshillon vendet anëtare të BE-së për investime dhe përgatitjen në proceset e mëparshme të anëtarësimit. Jam i bindur se shërbimet këshillimore të ofruara nga JASPERS do të vazhdojnë të sjellin një ndikim pozitiv social dhe përfitime ekonomike për qytetarët. Ne presim të kontribuojmë në reduktimin e kohës së udhëtimit, rritjen e disponueshmërinë dhe aksesit në ujë të pijshëm, energji të pastër, si dhe të aksesit në infrastrukturë të sigurt digjitale, arsim efikas, energji dhe infrastrukturë të kujdesit shëndetësor. Kjo është vijim i drejtpërdrejtë i mbështetjes sonë më parë në rajon dhe i punës së vazhdueshme të kryer në Partneritetin Lindor nga “EPIC”. Asistenca JASPERS zbatohet në linjë me prioritetet e sektorit, të theksuara në ‘Global Gateway’ të BE-së, planet ekonomike dhe të investimeve dhe agjendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor”.

Duke qenë aktive në Ballkanin Perëndimor që nga viti 2011, marrëveshja e fundit bazohet në suksesin e mbi njëqind detyrave këshillimore të JASPERS për përgatitjen e projekteve me vlerë 9 miliardë euro në sektorët e transportit, ujësjellësit, mbetjeve dhe efikasitetit energjetik. Një shembull i një mbështetjeje të tillë është përgatitja e planit të ngritjes së kapaciteteve për hekurudhat shqiptare, që rezultoi në alokimin e një granti investimi me vlerë 136 milionë euro në kuadër të kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Vora deri në kufirin me Malin e Zi.

Aktiviteti theksoi gjithashtu ndihmën e shtuar të JASPERS për Ukrainën, Moldavinë dhe vendet e tjera të partneritetit lindor të BE-së. Nëpërmjet një instrumenti të dedikuar të investimeve të partneritetit lindor në konektivitet (EPIC) , këto vende kanë marrë mbështetjen këshillimore JASPERS me qëllim përmirësimin e lidhjes së transportit si brenda rajonit të Partneritetit Lindor ashtu edhe ndërmjet vendeve partnere dhe BE-së, me një fokus të fortë në rrjetin e zgjeruar transevropian të transportit (TEN-T). 

Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, janë krijuar korsi solidariteti BE-Ukrainë për të lehtësuar eksportet e grurit nga Ukraina për tek vendet në nevojë, si dhe për të përmirësuar lidhjen e transportit të Ukrainës dhe Moldavisë me BE-në në kuadrin afatgjatë. Në partneritet me Komisionin Evropian, JASPERS zhvilloi një strategji për integrimin në BE të sistemeve hekurudhore të Ukrainës dhe të Moldavisë. Ekspertët e programit ndihmuan gjithashtu në sigurimin e financimit për instrumentin e BE-së për lidhjen e Evropës me qëllim krijimin e vendkalimeve kufitare, duke mundësuar transport më të shpejtë dhe me kapacitet më të lartë të mallrave.

Të dhëna bazë

Rreth BEI-t dhe BEI Globale

BEI është institucioni financues afatgjatë i Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ai vë në dispozicion financat afatgjata për investime të shëndosha për të ndjekur synimet e politikave të BE-së, duke mbështetur projekte në katër fusha prioritare: infrastrukturë, inovacion, klimë dhe mjedis dhe NVM-të. BEI Globale është krahu i specializuar i Grupit të BEI-t, i dedikuar për rritjen e ndikimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe financave të zhvillimit, si dhe një partner kyç i Global Gateway. Ne synojmë të mbështesim investime me vlerë 100 miliardë euro deri në fund të vitit 2027— rreth një të tretën e objektivit të përgjithshëm të kësaj nisme të BE-së. Brenda “Team Europe”, BEI Globale nxit partneritete të forta dhe të fokusuara së bashku me institucionet e tjera financiare të zhvillimit dhe shoqërinë civile. BEI Globale e afron Grupin e BEI-t më pranë njerëzve, kompanive dhe institucioneve vendase përmes zyrave tona në mbarë botën.

Rreth BEI-t në Ballkanin Perëndimor

BEI është një nga financuesit kryesorë ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor. Që nga viti 2009, banka ka financuar projekte në rajon me një vlerë gjithsej prej rreth 11 miliardë euro. Vizitoni faqen e publikimeve të bankës për informacion të detajuar mbi aktivitetet e saj në Ballkanin Perëndimor.

Rreth JASPERS (Asistenca e Përbashkët për Mbështetjen e Projekteve në Rajonet Evropiane)

JASPERS është një program këshillimor i drejtuar nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe i financuar nga BEI dhe Komisioni Evropian. Që nga viti 2005, JASPERS është zbatuar në 27 vende dhe ka mbështetur përgatitjen e projekteve me vlerë mbi 317 miliardë euro. Ai ofron mbështetje këshillimore për përfituesit për të përgatitur dhe krijuar projekte infrastrukturore dhe ndihmë për forcimin e kapaciteteve për autoritetet kombëtare, rajonale dhe lokale, si dhe përfituesit e tjerë të fondeve të BE-së në vendet anëtare të BE-së, vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE dhe vendet e partneritetit lindor. Programi ndihmon autoritetet kontraktore në vendet përfituese të përgatisin projekte për të ndërtuar transport të qëndrueshëm, për të reduktuar ndotjen, për të reduktuar përdorimin e karburanteve fosile, për të zgjeruar inovacionin, për të ofruar kujdes më të mirë shëndetësor, për të ndihmuar në parandalimin e fatkeqësive natyrore, për të promovuar një ekonomi rrethore dhe për të mbështetur tranzicionin e gjelbër.