>@EIB
  • NVM-të që përfitojnë nga kreditë e BEI-t raportojnë 15 vende pune të shtuara për çdo 1 milion euro kredi të mbështetura nga BEI dhe investime më të mëdha (duke rritur aktivet fikse me 35%) sesa firmat e tjera të krahasueshme.
  • Ndikimi në punësim është më i fortë te firmat që nuk kishin akses më parë në financim, duke vënë në dukje rëndësinë e kushteve të favorshme të tregut të ofruara nga kreditë e BEI-t.

Banka Evropiane e Investimeve (BEI) ka luajtur rol të rëndësishëm në mbështetjen e kreditimit për NVM-të në Ballkanin Perëndimor që nga viti 2008. Në atë kohë ajo ka financuar 28 400 kompani me kushte të favorshme kreditimi.

Ndikimi i huadhënies së ndërmjetësuar të BEI-t për bizneset në Ballkanin Perëndimor”  i cili u publikua sot, vlerëson ndikimin e kreditimit të ndërmjetësuar të BEI-t për NVM-të në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi midis vitit 2009 dhe 2023.

Gjetjet kryesore përfshijnë:

Ndikim pozitiv në punësim: NVM-të që përfituan nga kreditë e BEI-t raportuan një rritje prej 15% të punësimit, duke tejkaluar firmat e ngjashme që nuk morën hua të ndërmjetësuara nga BEI. Ky ndikim korrespondon me afërsisht 15 vende pune të shtuara për çdo 1 milion euro kredi të lëshuara nga BEI.

Rritje të investimeve: Firmat që morën kredi nga BEI shënuan një rritje prej 20% në totalin e aktiveve dhe një rritje të dukshme prej 35% në aktivet fikse krahasuar me firmat që nuk përfituan nga mbështetja e BEI-t, duke treguar aftësinë e financimit të BEI-t për t'u mundësuar NVM-ve të investojnë në një mjedis të kufizuar nga kreditë.

Ndikim më të fortë te firmat me akses të kufizuar në financim: Studimi zbuloi se efektet pozitive të kreditimit të ndërmjetësuar nga BEI në punësim ishin më të theksuara te firmat pa akses të mëparshëm në financim. Kjo do të thotë se kushtet e favorshme të tregut të ofruara nga BEI janë veçanërisht të dobishme për këto biznese.

Duke folur në lidhje me raportin, Kyriacos Kakouris, zëvendëspresident i Bankës Evropiane të Investimeve, tha se “huadhënia e ndërmjetësuar nga BEI luan një rol vendimtar në nxitjen e rritjes së NVM-ve dhe të zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Ndikimi pozitiv në punësim dhe investime nënvizon më tej rëndësinë e mbështetjes së BEI në adresimin e boshllëqeve financiare dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike në rajon. Jemi të përkushtuar që të vazhdojmë mbështetjen tonë për sektorin privat në rajon”.

Më tej, Debora Revoltella, kryeekonomistja e Bankës Evropiane të Investimeve, theksoi se: “Ky studim tregon efektet pozitive të financimit të BEI-t në mbështetjen e bizneseve për të investuar, zgjeruar dhe kontribuar në zhvillimin afatgjatë të rajonit. Ai gjithashtu thekson rolin vendimtar të BEI-t në nxitjen e përfshirjes financiare duke u dhënë NVM-ve akses për herë të parë në financimin e huadhënies bankare.

Për më shumë informacion rreth studimit mund të vizitoni botimin këtu.

Të dhëna bazë

Rreth BEI-t

Banka Evropiane e Investimeve është institucioni kreditues afatgjatë i Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ajo siguron financim dhe ekspertizë për projektet që kontribuojnë në objektivat e BE-së. Grupi i BEI-t punon ngushtë me partnerët e sektorit publik dhe privat për të mbështetur investimet e qëndrueshme, krijimin e vendeve të punës, rritjen ekonomike dhe inovacionin në të gjithë Evropën.