- Presidentja, Nadia Calviño, ndan vizionin e saj për Grupin e BEI-t në vazhdim, në një takim jozyrtar të Këshillit të Çështjeve Ekonomike dhe Financiare (Ecofin) në Gent.
- Qasja ka në qendër një plan ambicioz për të mbështetur udhëheqjen e Evropës në tranzicionin binjak të gjelbër dhe digjital dhe për të mbyllur hendekun e investimeve në inovacion, teknologji të reja dhe infrastrukturë fizike e sociale në interes të rajoneve, bizneseve dhe qytetarëve të Evropës.
- Presidentja e BEI-t përshkroi gjithashtu planet për të rritur financimin e Grupit të BEI-t për sigurinë dhe mbrojtjen e Evropës, me një fokus të fortë në teknologjitë e reja, infrastrukturën kritike si kontrolli kufitar, siguria kibernetike, hapësira dhe teknologjitë me përdorim të dyfishtë si dronët, duke i dhënë një shtysë të re mbështetjes së partneriteteve të reja dhe më të forta. Tani po punohet me Komisionin Evropian dhe palët e tjera kyçe të interesit për shtrirjen dhe përkufizimin e teknologjive me "përdorim të dyfishtë".
Presidentja e Bankës Evropiane të Investimeve, Nadia Calviño, ndau sot me ministrat e financave të BE-së një strategji ambicioze për të ndërtuar pikat e forta të Grupit të BEI-t, për t'u fokusuar në tetë prioritetet kryesore të politikave dhe për të zbatuar potencialin e plotë të institucionit për të nxitur rritjen dhe kohezionin social e territorial, si dhe mbështetjen e udhëheqjes së Evropës në tranzicionin binjak të gjelbër dhe digjital, si dhe rritjen e konkurrencës së Evropës, autonominë e hapur strategjike dhe sigurinë ekonomike.
Diskutimi, i cili u zhvillua gjatë takimit jozyrtare të Ecofin në Gent, ishte shkëmbimi i parë strategjik i pikëpamjeve midis guvernatorëve të BEI-t dhe presidentes së re, e cila mori detyrën e saj më 1 janar 2024.
Takimi pasoi disa javë intensive takimesh angazhimi midis presidentes dhe aksionarëve individualë të Bankës, gjatë të cilave Calviño vizitoi disa kryeqytete dhe u takua me ministra dhe krerët e qeverive.
Në qendër të qasjes së zbuluar sot në Gent nga presidentja e Grupit të BEI-t është mbyllja e hendekut të investimeve në inovacion, teknologji të reja dhe infrastrukturë fizike e sociale, brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, në interes të rajoneve, bizneseve dhe qytetarëve të Evropës.
Nismat e reja të diskutuara në tryezë synojnë të fokusojnë investimet në zbutjen dhe përshtatjen e ndryshimeve klimatike dhe tranzicionin e energjisë, digjitalizimin dhe teknologjitë e reja. Ato përfshijnë gjithashtu plane për të rritur investimet në siguri dhe mbrojtje, për të rritur mbështetjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), për të përforcuar kohezionin territorial dhe infrastrukturën sociale në fusha të tilla si arsimi, shëndetësia dhe strehimi i përballueshëm, si dhe për të investuar në bujqësi dhe bioteknologji. Lidhur me vendet jashtë Bashkimit Evropian, strategjia ka në fokus mbështetjen për Ukrainën dhe një proces të suksesshëm zgjerimi, si dhe strategjinë Global Gateway të BE-së.
“Unë mirëpres shumë diskutimet konstruktive të sotme me ministrat e financave të BE-së, të kryesuar nga presidenca belge. Miratimi i fuqishëm i strategjisë sonë nga ministrat do të na ndihmojë të ndërtojmë pikat e forta të Grupit të BEI-t dhe të zbatojmë këtë instrument të fuqishëm me potencialin e tij të plotë për të mbështetur prioritetet strategjike të BE-së dhe për të trajtuar me sukses sfidat e sotme globale”, tha presidentja Calviño.
Takimin e sotëm e kryesoi ministri i Financave i Belgjikës dhe kryetar i këshillit drejtues të BEI-t, Vincent Van Peteghem. Ai tha, “Evropa po përballet me sfida të jashtëzakonshme, që kërkojnë financim të jashtëzakonshëm. Si banka më e madhe shumëpalëshe në botë, BEI mund të ndihmojë qeveritë në mobilizimin e fondeve të nevojshme për të financuar sfidat me të cilat përballemi, si mbrojtja, klima dhe konkurrenca. BEI ka ekspertizën dhe mjetet e duhura për të sjellë sektorin privat në bord. Me nënshkrimin e disa projekteve investimi, BEI u jep besueshmëri të fortë projekteve më të rrezikshme, duke lejuar investitorët privatë të hyjnë në bord.”
Ndërtojmë pikat e forta të Grupit të BEI-t, duke u fokusuar në tetë prioritetet kryesore
Presidentja Calviño u prezantoi ministrave një grup prej tetë prioritetesh thelbësore që do të ndihmojnë në ndërtimin e një ekonomie më rezistente, më të drejtë dhe konkurruese: konsolidimi i bankës për klimën; përshpejtimi i inovacionit dhe digjitalizimit teknologjik; rritja e investimeve në siguri dhe mbrojtje; kontribuimi në politikën moderne të kohezionit; zhvillimi i financimit inovativ për bujqësinë dhe bioekonominë; përgatitja e investimeve në infrastrukturën sociale; udhëheqja e Unionit të Tregjeve të Kapitalit dhe fokusimi në aktivitetet jashtë Bashkimit Evropian në kuadër të strategjisë Global Gateway, Ukrainë dhe procesin e zgjerimit me sukses.
Presidentja e BEI-t përshkroi gjithashtu planet për të rritur financimin e Grupit të BEI-t për sigurinë dhe mbrojtjen e Evropës, me një fokus të fortë në teknologjitë e reja, infrastrukturën kritike si kontrolli i kufijve, siguria kibernetike, hapësira dhe teknologjitë me përdorim të dyfishtë si dronët. Strategjia përfshin gjithashtu mbështetje të re për partneritete të reja dhe më të forta. “Ne tashmë po angazhohemi me Komisionin Evropian dhe palët e tjera kyçe të interesit lidhur me fushën dhe përkufizimin e ‘përdorimit të dyfishtë’,” shtoi ajo.
Ndër temat e diskutuara ishte edhe krijimi i mjeteve të reja të financimit për teknologjitë strategjike, si çipat, si dhe për sektorët kyç të ekonomisë, veçanërisht bizneset e vogla dhe të mesme.
Pas diskutimit të Ecofin, Grupi i BEI-t do të punojë me këshillin e vet drejtues për të eksploruar dhe rregulluar propozimet për:
- një program mbi efikasitetin e energjisë për NVM-të për të shtuar një grup thelbësor të teknologjive të gjelbra dhe ekonomikisht efikase;
- një program të ri uji për të ndihmuar qytetet, rajonet dhe bizneset, veçanërisht fermerët dhe sektorin e bujqësisë, për të menaxhuar ndikimin e thatësirës dhe përmbytjeve, digjitalizimin dhe rritjen e efikasitetit të ciklit të ujit;
- një program të ri “FASTER” për të përshpejtuar digjitalizimin dhe novacionin teknologjik brenda Bashkimit Evropian;
- instrumente financiare avangardë të BE-së që mund të formojnë blloqe ndërtimi për Unionin e Tregjeve të Kapitalit.
Zbatimi i potencialit të plotë të Grupit të BEI-t për të mbyllur hendekun e investimeve
Mbyllja e hendekut të investimeve për suksesin e Evropës në tranzicionin e gjelbër dhe digjital kërkon mobilizimin e plotë të burimeve publike, shkurtimin e burokracisë, zvogëlimin e kohës në treg dhe futjen e sektorit privat.
Presidentja Calviñoparashtroi gjithashtu plane ambicioze për të rritur efikasitetin në operacionet e Grupit të BEI-t, për shembull duke thjeshtuar dhe digjitalizuar proceset, dhe duke shkurtuar kështu kohën që duhet për miratimin dhe dorëzimin e projekteve në terren.
BEI është krahu financiar i Bashkimit Evropian, me një bilanc prej mbi 550 miliardë eurosh, një pozicion financiar solid dhe një histori të pashembullt të investimeve në infrastrukturën kryesore, klimën dhe inovacionin. BEI vepron si një katalizator për investimet private (për çdo euro të kapitalit të BEI, mobilizohen 40 euro investim) dhe luan një rol kundërciklik, duke kontribuar në stabilitetin ekonomik. Kjo ofron një bazë shumë të fortë për përgatitjen e aktiviteteve në vitet e ardhshme.
Të dhëna bazë
Banka Evropiane e Investimeve (BEI) është institucioni huadhënës afatgjatë i Bashkimit Evropian në pronësi të shteteve të saj anëtare. Ajo financon investime të shëndosha që kontribuojnë në qëllimet e politikave të BE-së. Projektet e BEI-t forcojnë konkurrencën, nxisin inovacionin, promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm, përmirësojnë kohezionin social dhe territorial dhe mbështesin një tranzicion të drejtë dhe të shpejtë drejt neutralitetit klimatik.
Grupi i BEI-t, i cili përfshin gjithashtu Fondin Evropian të Investimeve (FEI), nënshkroi financime të reja me vlerë total prej 88 miliardë eurosh për mbi 900 projekte në vitin 2023, 49 miliardë euro prej të cilave shkuan për investime të gjelbra. Këto angazhime pritet të mobilizojnë rreth 320 miliardë euro investime, duke mbështetur 400 000 kompani dhe 5,4 milionë vende pune.
Të gjitha projektet e financuara nga Grupi i BEI-t janë në përputhje me Marrëveshjen e Parisit për Klimën. Ne jemi në rrugën e duhur për të përmbushur angazhimin tonë për të mbështetur 1 trilion euro në investime për qëndrueshmërinë klimatike dhe mjedisore në dekadën deri në vitin 2030, siç është premtuar në Udhërrëfyesin tonë të bankës për klimën. Mbi gjysma e financimit vjetor të Grupit të BEI-t mbështet projekte që kontribuojnë drejtpërdrejt në zbutjen dhe përshtatjen e ndryshimeve klimatike dhe një mjedis më të shëndetshëm.
Përafërsisht gjysma e financimit të BEI-t brenda Bashkimit Evropian drejtohet drejt rajoneve të kohezionit, ku të ardhurat për frymë janë më të ulëta. Kjo nënvizon angazhimin e bankës për të nxitur rritjen gjithëpërfshirëse dhe konvergjencën e standardeve të jetesës, si dhe një tranzicion të drejtë të gjelbër në të gjithë Bashkimin Evropian.